Vjosa Osmani - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Pasuria afër gjysmë milionëshe e presidentes Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar afër 450 mijë euro pasuri të paluajtshme. Përveç tyre, një parcelë tokë për shtëpi në Lagjen e Gjelbër, nuk është deklaruar vlera por thuhet se është e kontraktuar dhe se nuk është ende në pronësi, e as në shfrytëzim.

Sipas sqarimit në Agjencinë Kundër Korrupsionit, shuma e paguar është 139,740 euro, ndërsa kanë mbetur edhe 10 mijë euro të papaguara.

Në deklarimin e fundit në Agjencinë Kundër Korrupsionit, presidentja e vendit ka deklaruar  42,495 euro para të gatshme në bankë.

Osmani në emër të saj ka deklaruar se ka një banesë të papërfunduar me sipërfaqe 83.51 m2, e cila kap vlerën 42,500 euro.

Sipas deklarimit, te pasuria e paluajtshme, dy shtëpi, një banesë me garazh figurojnë në emër të burrit të saj. Njëra shtëpi ka vlerën 120 mijë euro, e tjetra 180 mijë euro.

Pasuria e paluajtshme e presidentes Vjosa Osmani. Burimi: Agjencia Kundër Korrupsionit

Presidentja ka deklaruar se është edhe në dy borxhe.

Osmani ka deklaruar në AKK se bashkë me burrin e saj janë në borxh 87,900 euro për shtëpinë në lagjen luksoze, Marigona Hill.

Dhe 10,000 euro të tjera ka deklaruar se janë në borxh për parcelën në Lagjen e Gjelbër.

Pagën vjetore si presidente e vendit e ka deklaruar 32,922 euro. Mëditje nga udhëtime merr 6,223 euro në vit.

Ndërkaq, për burrin e saj ka deklaruar se 37,855 euro në vit merr nga buxheti i Kosovës. 8,500 euro i merr ai qira nga patundshmëria në Adelaide të Australisë.