Burgu i Dubravës (Ilustrim)

Pastruesit të burgut të Dubravës i gjendet droga në rroba, suspendohet nga puna

Një pastrues i Burgut të Dubravës me inicialet F.L., është suspenduar nga detyra e tij për shkak se të njëjtit i është gjetur drogë në rrobat e tij.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 8 të mëngjesit në Burgun e Dubravës, oficerët e sigurisë kanë ndaluar një të punësuar si pastrues në burg dhe i kanë gjetur lëndë narkotike të fshehur në rrobat e tij.

“Me të hetuar substancën e dyshuar narkotike, menjëherë janë ndërmarr veprimet e nevojshme nga stafi përgjegjës i sigurisë, të cilët kanë lokalizuar vendin, provat materiale dhe zyrtarin e dyshuar”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Tutje SHKK ka treguar edhe se për rastin janë njoftuar Njësiti Antidrogë i Policisë së Kosovës, ndërsa ndaj  të dyshuarit është ndërmarrë masa e suspendimit nga puna dhe me njëherë është iniciuar procedure e brendshme disiplinore.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin e dukurive negative, ku hyjnë luftimi i kontrabandës, substancave narkotike, korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare, dhe nuk do të lejoi në asnjë mënyrë rrezikim e institucioneve korrektuese nga dukuritë dhe veprimet e tilla”, thuhet në fund të njoftimit.