‘Pastrimi’ kërkon rritje të çmimit të grumbullimit të bërllokut deri 7.54 euro në muaj

Kompania Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi” ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të miratojë kërkesën e tyre për rritje të çmimit të faturës mujore të grumbullimit të mbeturinave deri në 7.54 euro në muaj.

Zëdhënësja e kompanisë ‘Pastrimi’, Arbnore Ademi për KALLXO.com ka thënë se kjo kërkesë erdhi si shkak i rritjes së çmimeve në vend.

“Kompania “Pastrimi”, SH.A-Prishtinë, ka bërë kërkesë për rritje të faturës së mbeturinave në komunat ku kryen shërbim. Kjo kërkesë ka ardhur si shkas i rritjes së çmimeve në vend, duke filluar nga çmimi i derivateve, dhe çdo produkti tjetër, prandaj është vlerësuar si e nevojshme të bëhet kërkesë për rritje të çmimit të faturës”- është shprehur ajo.

Tutje, nga ‘Pastrimi’ u bë e ditur se nga viti 2012 kur u shua Zyra Rregullative për Ujë dhe Mbeturina, nuk ka pas analizë të çmimeve për çmim të mbeturinave. 

Sipas ligjit, kuvendet komunale e aprovojnë tarifën për mbeturina.

 “Në vitin 2012 që nga shuarja e Zyrës Rregullative për Ujë dhe Mbeturina, ZRRUM, nuk ka pas ndonjë analizë të çmimeve për çmim të mbeturinave. Ligji për Menaxhimin e Mbeturinave e definon se tarifën për mbeturina e aprovojnë kuvendet komunale. Pra, edhe pse përgjegjësia ka qenë tek kuvendet komunale, pas shuarjes se ZRRUM tarifa për mbeturina ka mbetur e njëjtë” – shtoi tutje Ademi.

Ditë më parë drejtori i shërbimeve publike në Prishtinë, Ilirik Musliu për KALLXO.com bëri të ditur se kjo kërkesë nga ‘Pastrimi’ ka ardhur si shkak i rritjes së çmimit nga niveli qendror karshi kësaj ndërmarrje.

“Kemi rritje të çmimit nga niveli qendror, pra deponia për menaxhim të deponive të Kosovës, KMDK ka rrit çmimin karshi ndërmarrjes ‘Pastrimi’ dhe tani ndërmarrja kërkon që edhe çmimi në kontratën e ‘Pastrimit’ të rritet, e që nënkupton të ketë rritje edhe të faturës së qytetarëve”- ka thënë Musliu.

Komuna e Prishtinës në seancën e fundit të Kuvendit Komunal ka ndarë 100 mijë euro për kompaninë ‘Pastrimi’ për borxhin e lartë që ka ndaj Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës.

KMDK ka kushtëzuar me pagesë të një pjese të borxhit për të vazhduar kontratën në vitin 2023. Sipas të dhënave, ‘Pastrimi’ ka borgj rreth 800 mijë euro ndaj kësaj kompanie.

KMDK gjatë vitit 2022 ka penguar disa herë ndërmarrjen Pastrimi në zbrazje të kamionëve në deponinë e Mirashit në Obiliq si shkak i borxheve që ka ndaj kësaj kompanie.

Alban Zogaj, nënkryetari i Prishtinës tha se janë para aktit të kryer sa i përket ndarjes së kësaj ndihme financiare. Sipas tij, me Bankën Botërore janë në diskutim për përfshirje edhe të një modeli privat për menaxhim të mbeturinave, pasi kështu është gjendje e rëndë.

Komuna e Prishtinës nuk ka marr ende  ndonjë vendim lidhur me aprovim ose jo të kësaj kërkese nga kompania ‘Pastrimi’.

Veprimtaria e kësaj kompanie përfshinë  Regjionin e Prishtinës me komunat: Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Lipjan, Podujevë, Drenas dhe Graçanicë.