FOTO: KALLXO.COM Kompania, " Pastërtia" Nëntor 2020

“Pastërtia” në Ferizaj, nuk arrin të mbledh mbeturinat, shkak edhe makineria e vjetërsuar

Rreth 100 punëtorë, sa janë të punësuar në kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj, janë duke pasur telashe me pajisjet e punës.

Si pasojë e problemeve me pajisje të vjetërsuara, punëtorët nuk po arrijnë të pastrojnë të gjitha mbeturinat nëpër lagjet e qytetit dhe fshatrave për të cilët janë të përcaktuara të operojnë.

Se kanë probleme me pajisjet e ka konfirmuar edhe menaxheri në këtë kompani Gazmend Ismajli.

Ai në një prononcim për KALLXO.com tha se punëtorët të cilët ai i menaxhon, kanë shpreh pakënaqësitë e tyre për pajisjet e vjetërsuara, gjë e cila është duke ua vështirësuar punën.

Në anën tjetër, kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, në seancën komunale e mbajtur më 31 maj të këtij viti, pati potencuar se kanë investuar në blerjen e automjeteve të reja për këtë kompani.

“Investuam në blerjen e automjeteve të reja bartëse për grumbullimin e mbeturinave”, pati thënë Aliu gjatë fjalës së tij në seancë.

Mirëpo, Ismajli thotë se tre kamionët e pranuar nga komuna e Ferizajt, nuk kanë qenë të rinj, kanë qenë të përdorur dhe pikërisht edhe me këta kamionë kanë pasur dhe kanë probleme.

“Ai (kryetari Agim Aliu) i ka pru tre kamionë, por nuk kanë qenë të ri. Faktikisht, ata kanë qenë pak të bajtur, por më të mirë se këta që i kemi pas në kompani, janë kanë. Po, kemi pas probleme të natyrës së ndryshme, ndonjë pompë është prish, sepse ata punojnë me vaj e ka mujt me rrjedh diku vajin, amo po kemi pas probleme edhe me ata sepse rregullisht kanë qenë në terren”, tregon Ismajli për KALLXO.com.

Ai po ashtu thotë se kanë mbetur mbrapa me punë në disa lagje për shkak të defekteve, mirëpo shton se ky problem do të zgjidhet javën e ardhshme.

Ismajli kërkon nga qytetarët të mirëkuptojnë për këto ditë që nuk kanë arritur të mbledhin mbeturinat në të gjithë vendet ku janë të përcaktuar për mbledhjen e tyre.

Një qytetar i Ferizajt ka dërguar fotografi në KALLXO.com ku shihet se kjo kompani nuk ka arritur të pastrojë mbeturinat e grumbulluara në një fshat në këtë komunë.

Kjo kompani e cila financohet nga Komuna e Ferizajt përveç problemeve me pajisje të punës po ashtu herë pas here, kanë raportuar edhe për vonesa dhe mos rritje të pagës, madje punëtorët pakënaqësitë i kanë shpreh edhe përmes protestave.

“Ngërçet financiare” shkaktojnë vonesa në rrogat e punëtorëve të kompanisë “Pastërtia”