Pasojat strategjike të fitores së Kılıçdaroğlu ndaj Erdoganit

Për herë të parë në njëzet vjet, një ndryshim i udhëheqjes në Turqi është i mundur. BE-ja duhet të përgatitet për ndryshimin e politikës së jashtme që do ta sillte një fitore nga radhët e partive opozitare.

Qoftë në raundin e parë më 14 maj, qoftë në të dytin më 28 maj, zgjedhjet presidenciale të Turqisë përfundimisht do të zhvillohen midis presidentit aktual, Recep Tayyip Erdoğan, dhe liderit të opozitës Kemal Kılıçdaroğlu.

Nëse i pari fiton një mandat tjetër pesëvjeçar, skenari është i shkruar tashmë. Megjithëse udhëheqja turke mund ta zvogëlojë një pjesë të retorikës së saj përçarëse, tensionet mbi orientimin e politikës së jashtme të Turqisë dhe kalbja e lirive demokratike do të mbeten pengesa për përmirësime domethënëse. Partnerët perëndimorë do të duhet ta menaxhojnë ndërprerjen e vazhdueshme.

Nëse kandidati opozitar fiton, udhëheqësit perëndimorë do të duhet të përballen me pasoja masive. Ankaraja do të lëvizë menjëherë për t’i normalizuar marrëdhëniet e saj me NATO-n. Megjithatë, disa nga divergjencat aktuale, për shembull në Qipro dhe Siri, nuk do të zhduken. Nga ana pozitive, sundimi i ligjit do të rikthehet dhe marrëdhëniet me BE-në do të përmirësohen—ndonëse nuk do të lehtësohen.

Deri tani ndryshimi më i rëndësishëm do të ketë të bëjë me sigurinë dhe mbrojtjen.

Nëse, siç u njoftua, një udhëheqje e re turke do të rikthehej në një rol më konstruktiv brenda NATO-s duke i ruajtur marrëdhëniet ekonomike solide me Rusinë, implikimet strategjike do të jenë të rëndësishme.

Para se gjithash, Turqia do të bënte përpjekje për ta ndaluar Rusinë që t’i shmangej sanksioneve perëndimore në një numër sektorësh. Së dyti, Ankaraja mund t’i japë fund menjëherë kundërshtimit të saj ndaj pranimit të Suedisë në NATO. Së treti, ajo mund ta vendosë një përfshirje të konsiderueshme ushtarake në operacionet e sigurimit të aleancës në krahun e saj lindor, nga Estonia në Rumani. Së katërti, ajo mund të marrë në konsideratë përfundimin e pranisë në tokën turke të baterive të raketave S-400 të dorëzuara nga Rusia në korrik të vitit 2019. Dhe së pesti, si pasojë e lëvizjes së mëparshme, Turqia mund të përfshihet në diskutime rreth blerjes dhe/ose zhvillimit të një pajisjeje të pajtueshme me arkitekturën e mbrojtjes raketore të NATO-s. Një gjë e tillë do ta lehtësonte modernizimin e flotës luftarake të forcave ajrore turke.

Me një ndërhyrje të natyrshme nga Shtetet e Bashkuara, BE-në dhe NATO-n, këto diskutime do të kishin një ndikim të prekshëm në sigurinë e kontinentit evropian. Ato gjithashtu do ta ndryshonin rrënjësisht perceptimin politik të Turqisë. Në të kundërtën, secila prej këtyre lëvizjeve do të kundërshtohej nga Rusia, e cila do t’i bënte presion Turqisë duke përdorur mjete të ndryshme: furnizimin me gaz dhe tranzit; centralin elektrik me energji bërthamore Akkuyu që e ka në zotërim dhe do të funksionojë; flukset e turistëve; blerjet bujqësore.

Me Sirinë, udhëheqja e re e Turqisë do t`i kishte dy objektiva të qarta: pajtimin me presidentin sirian Bashar al-Assad dhe kthimin e refugjatëve sirianë në atdheun e tyre. Një pasojë e menjëhershme e një normalizimi turko-sirian do të ishte një vështirësi në rritje për aleancën anti-ISIL, pasi prania e forcave të SHBA-së dhe aleatëve në dhe rreth Sirisë do të kontestohej.

Njëkohësisht, për të vazhduar drejt normalizimit, Ankaraja do të vihej nën presion të menjëhershëm nga Damasku dhe Moska për t’i tërhequr forcat e saj nga katër zonat ku janë vendosur aktualisht – Idlib, Afrin, Jarabulus dhe zona midis Tell Abyad dhe Ras al-Ain. 

Për më tepër, një politikë që ka si synim kthimin e refugjatëve sirianë në atdheun e tyre do ta ngrinte çështjen e mungesës së ndonjë kuadri ligjor të dakorduar ndërkombëtarisht për një transferim kaq masiv të popullsisë. Kjo, nga ana tjetër, do të kishte një ndikim në paktin e vetë BE-së për refugjatët me Turqinë. Në përgjithësi, duke iu bashkuar konsensusit arab në zhvillim për ta pranuar kthimin e Asadit në legjitimitetin ndërkombëtar, Ankaraja do të distancohej nga politika e mos-përfshirjes së Perëndimit me presidentin sirian.

Një tjetër mollë e madhe sherri, veçanërisht me BE-në, do të ishte Qiproja. Pavarësisht nëse udhëheqja e re e Turqisë do ta favorizonte opsionin aktual të një zgjidhjeje me dy shtete, çdo diskutim mbi një zgjidhje gjithëpërfshirëse qipriote do të mbetej i mundimshëm. Çështje të tilla si statusi i komunitetit turqishtfolës, shfrytëzimi i burimeve nënujore dhe pasojat e mosnjohjes së Republikës së Qipros nga Turqia do të mbeten shumë të vështira për t’u zgjidhur.

Në përgjithësi, divergjencat në politikën e jashtme nuk do të zhdukeshin me zgjedhjen e kandidatit opozitar Kılıçdaroğlu. Në dritën e shkëmbimeve të kufizuara midis specialistëve të politikës së jashtme të “Tablos së të gjashtëve” – pseudonimi i koalicionit opozitar – dhe institucioneve perëndimore, një element i rëndësishëm tashmë është shfaqur: një dialog profesional dhe dinjitoz do të rivendosej midis Ankarasë dhe kryeqyteteve perëndimore. Ky do të ishte një lehtësim i madh për Berlinin, Brukselin, Londrën, Parisin dhe Uashington.

Përtej fushës së sigurisë, një tjetër përmirësim i madh do të ishte kthimi gradual në një arkitekturë të sundimit të ligjit më afër standardeve perëndimore: një numër i të burgosurve politikë do të liroheshin pa vonesë; do të nisin reformat në lidhje me gjyqësorin, median dhe shoqërinë civile; dhe do të vihej në lëvizje një rikthim në një sistem parlamentar.

Në përgjithësi, pasi të ketë përfunduar, një rreth i tillë i virtytshëm do të kishte përfitime të mëdha: qytetarët dhe fuqia punëtore e Turqisë do ta ndjenin një ndjenjë lehtësimi dhe pajtimi ndërkohë që partnerët e huaj të botës së biznesit do ta shihnin Turqinë në një këndvështrim shumë të përmirësuar. Prezantimi i një politike ekonomike më të kuptueshme, veçanërisht në fushën monetare, do të kontribuonte shumë në rritjen e besimit të investitorëve perëndimorë. Konkretisht me BE-në, do të rifillonte një dialog politik dhe do të rishikohej e gjithë marrëdhënia.

Skenari i mësipërm përballet me një sërë pengesash: qëndrueshmëria e udhëheqjes në detyrë; divergjenca të mundshme brenda koalicionit opozitar; mundësia e bashkëjetesës mes një presidenti të ri dhe një parlamenti të varur; kundërshtime të parashikueshme nga Rusia; ndjenjat anti-perëndimore ose anti-evropiane në të gjithë spektrin politik të Turqisë; dhe mungesa e unanimitet midis kryeqyteteve evropiane se si të trajtohet një ndryshim i udhëheqjes në Ankara.

Këto janë arsye bindëse që liderët perëndimorë, veçanërisht në Evropë, do të duhej të përgatiten për hipotezën e një ndryshimi të tillë politik./Carnegie Europe

Përgatiti: Nuhi Shala