Pasojat e mungesës së vaksinës, të mëdha

Në Kosovë ende nuk ka arritur vaksina kundër COVID-19. Numri i të infektuarve ditëve të fundit, ka filluar të rritet. Shumë vende të rajonit tashmë kanë marrë vaksinën, ku vetëm Serbia u ka lënë qytetarëve të saj të zgjedhin mes katër llojeve të vaksinave dhe ka mbuluar me vaksinim mbi 1 milion qytetarë.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë të hënën se vaksinat kundër koronavirusit do të arrijnë në Kosovë gjatë këtij muaji.

Sipas tij, procesi i përgatitjes për ardhje të vaksinave ka përfunduar, që nënkupton planin e imunizimit dhe sigurimin e zinxhirit të ftohjes.
“Tash jemi në pritje të ardhjes së vaksinave. Gjatë muajit shkurt, vaksina anti-COVID do të jetë në Kosovë. Përgatitjet janë më intensive në qendrat e mjekësisë familjare”, ka thënë Zemaj, pa përmendur ndonjë datë të saktë se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.

Për pasojat e vonesës së vaksinës për Radio Kosovën ka folur infektologu Ilir Tolaj.  Ai tha se autoritetet shëndetësore kanë dështuar në negociata me prodhues të vaksinave, apo me shtete të tjera që do të mundë të ndihmonin në sigurimin e vaksinave.

‘’Që nga vera e vitit të kaluar ka qenë një tentativë serioze për ta siguruar vaksinën, dhe njerëzit përgjegjës në Kosovë është dashur që të mendojnë që atëherë kur vaksinat kanë qenë në fazën tre të zhvillimit të tyre. Në atë kohë është dashur që të vihen kontakte me prodhuesit dhe të bëhen para-kontratat për numrin e caktuar të vaksinave’’, tha Tolaj.

Vendet e Ballkanit si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi e Bosnjë e Hercegovina kanë filluar vaksinimin e qytetarëve të tyre. Serbia tashmë u ka mundësuar qytetarëve të vet të zgjedhin në mes katër vaksinave dhe ka vaksinuar mbi një milion njerëz deri më tani.

Ndërkaq Tolaj tutje tha se sa më shumë që vonohet vaksina kundër COVID-19 aq më shumë do të ballafaqohemi me raste të reja.
Megjithëkëtë ai thotë se Kosova ka një ecuri më të volitshme duke u bazuar në popullatën e re të përgjithshme.
“Në çfarëdo situate tjetër ishim ballafaquar me një situatë të vështirë dhe ecuria do të ishte tragjike për ne’’, tha Tolaj.

Vaksinën e AstraZenecas dhe Oxford-it kundër koronavirusit, Kosova pritet ta marrë falas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra. Kosova pret të marrë nga COVAX-i rreth 100.800 doza të
kësaj vaksine. RTK