Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pasi përfundoi në Prokurori, anulohet konkursi për sekretarë të shkollave në Prizren

Komuna e Prizrenit ka anuluar konkursin e Drejtorisë së Arsimit për sekretarë të shkollave.

Ky vendim është marrë nga ana e kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj.

“Anulohet procedura e rekrutimit për Konkursin i hapur nga data 13. 06.2022 për nëntë pozita sekretar-e, në kuadër të Drejtorisë së Arsimit. Anulimi është bërë duke u mbështetur në vendimin e Kryetarit të Komunës”- bëhet e ditur në njoftim.

Si shkas për anulim në këtë rast është përmend mosmenaxhimi i duhur i procedurës së rekrutimit.

Ditë më parë, për këtë konkurs Prokuroria e Prizrenit kishte nisur hetimet ndaj anëtarëve të komisionit.

“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se rasti në fjalë është duke u trajtuar nga Prokuroria Themelore në Prizren në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Për rrjedhën e mëtutjeshme të rastit do të njoftoheni me kohë”- ka konfirmuar Fitore Mehmeti- Sejrani, zyrtare për Informim dhe Monitorim të Mediave në Prokurorinë e Prizrenit.

Në muajin gusht KALLXO.com kishte kërkuar informacione në lidhje me këtë konkurs por nga ana e Komunës së Prizrenit kishin deklaruar se procedurat për këtë konkurs ende nuk kishin përfunduar.

“Është mbajtur testi me shkrim, Është mbajtur intervista me gojë. Sipas informacioneve të Kryetares së Komisionit Përzgjedhës për këtë procedurë, procesi i kësaj procedure është në fazën e përgatitjes së rezultateve përfundimtare, ku në fund të kësaj procedure merret vendim për përzgjedhjen e kandidatëve më të suksesshëm duke u bazuar në vendimin e tyre, Njësia e Burimeve Njerëzore publikon rezultatet në web-faqen e komunës”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prizrenit të datës 31 gusht.

Konkursi për këto pozita pune ishte hapur në muajin maj të këtij viti, ndërsa janë shpallur 9 pozita të lira në nëntë shkolla të komunës së Prizrenit.

Sipas njoftimit të komunës së Prizrenit, në këtë konkurs kanë plotësuar kriteret 121 kandidatë nga 207 sa kishin aplikuar.