Foto: Reuters

Pasi mbështetësi i Millosheviqit mori Nobelin, nobelistja e kthen medaljen e marrë më 1988

Christina Doctare, një doktoreshë suedeze, e cila mori çmimin Nobel për Paqe më 1988, si anëtare e forcës paqeruajtëse të OKB-së, ka njoftuar se do t’ia kthejë medaljen Akademisë Mbretërore Suedeze në shenjë proteste ndaj ndarjes së çmimit Nobel për Letërsi për shkrimtarin austriak, Peter Handke, i cili kishte mohuar gjenocidin e kryer në Srebrenicë dhe kishte mbështetur veprimet e Sllobodan Millosheviqit në Kosovë, Kroaci e Bosnjë.

Handke ka qenë edhe kundërshtar i bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë gjatë luftës së Kosovës dhe ka mbajtur fjalim, më 2006, në varrimin e Sllobodan Millosheviqit, i cili vdiq në Hagë teksa po gjykohej për krimet e kryera nga regjimi i tij në Kosovë, Kroaci e Bosnjë.

“Kam qenë krenare për Akademinë më parë, çmimi Nobel ishte një punë e madhe për Suedinë çdo vit. Tani ndjehem e turpëruar dhe fajtore”, ka thënë Doctare raporton BalkanInsight.

Shkrimtarit Peter Handke sonte i është ndarë çmimi Nobel për Letërsi për vitin 2019.

Gjatë kohës së mbajtjes së ceremonisë, jashtë objektit kanë protestuar dhjetëra anëtarë të shoqatave të viktimave të luftës së Bosnjës, ku forcat serbe, të mbështetura nga Sllobodan Millosheviq, në atë kohë president i Jugosllavisë dhe i Serbisë, po kryenin masakra kundër civilëve boshnjakë myslimanë.

Në të njëjtën kohë me protestën, në Stokholm u mbajt një mbledhje e mbështetjes për Handken dhe Akademinë Suedeze, të organizuar nga shoqatat serbe nga Suedia.

Ceremonia e ndarjes së çmimit për Peter Handken është bojkotuar nga Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Afganistani.