Arkiv

Pasi KELKOS merr leje 40 vjeçare për prodhim të energjisë, Ministria e Ambientit arsyetohet

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit përmes një e-maili ka dhënë sqarime në lidhje me lejet mjedisore që i ka marrë kompania KELKOS për operim të energjisë elektrike për dy hidrocentrale në Deçan, HC– Belaja” dhe “HC– Deçani”.

Në komunikatë thuhet se në mëngjesin e sotme ministri Kuçi nuk ka pasur informacion se a janë lëshuar leje nga MEA për këtë proces.

“Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, procesi për pajisje edhe me leje mjedisore nuk e implikon ministrin direkt në proces, pasi rruga administrative e këtyre dokumenteve zhvillohet mes departamenteve dhe Komisionit për Leje Mjedisore, duke përfunduar si proces në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, ministria në komunikatë ka thënë se KELKOS ka dështuar të marrë edhe lejen e tretë mjedisore për hidrocentralin “Lumëbardhi II”, pasi komisioni ka konstatuar që ende nuk janë përmbushur kushtet.

Sqarimi i plotë i procesit sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit:

Kompania ‘Kelkos Energy’, kërkesës për Leje Mjedisore i ka bashkangjitur Pëlqimin Mjedisor për të tri Hidrocentralet.

Kërkesës për Leje Mjedisore i ka bashkangjitur aplikacionet të ndara për të tri Hidrocentralet veç e veç, po ashtu taksa për Leje Mjedisore është kryer për të tri Hidrocentralet veç e veç.

Kompania ka bashkangjitur Lejet e Përdorimi për “HC– Belaja” dhe “HC– Deçani”, Certifikatën e legalizimit për ndërtimin e tubacionit, veprës së marrjes dhe kabllove elektrike, po ashtu Lejen ujore për “HC– Belaja” dhe “HC– Deçani”, për aprovimin e plotësimit të kushteve ujore, të parapara me lejet ujore paraprake, i ka për secilën veç e veç.

Për Hidrocentralet HC “Belaja” dhe HC “Deçani”,  kompania ka arritur të sjell të gjithë dokumentacionin që kërkohet në përputhje me Udhëzimin Administrativ për Leje Mjedisore 07/2017, ndërsa sa i përket HC- “Lumëbardhi II”, kompania nuk ka arritur të i përmbush kriteret sipas Udhëzimit Administrativ për Leje Mjedisore 07/2017, për arsye se nuk ka arritur të pajiset me Lejet e shfrytëzimit të ujit dhe Lejet e përdorimit të ujit.

Gjithashtu komisioni për Leje Mjedisore, gjatë realizimit të vizitës në terren ka konstatuar së është bërë rehabilitimi i zonës ku janë zhvilluar punimet të HC “Belaja” dhe HC “Deçani, ndërsa të HC “Lumëbardhi II” nuk është bërë rehabilitimi i zonës ku janë zhvilluar punime, për ketë arsye ka mbetur në fuqi përgjigja e datës: 12.10.2020”.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në mbledhjen e mbajtur sot ka marrë vendim që kompanisë KEKLOs t’i japë leje për prodhim të energjisë për 40 vjet me kushtin që ta ripërtërijë lejen mjedisore në kohëzgjatje brenda pesë viteve.

Me tri vota për dhe një kundër ky propozim i ZRrE ka kaluar duke i dhënë lejen kompanisë KELKOS që të prodhojë rrymë me hidrocentralet Belaja dhe Deçani.

Në anën tjetër, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka mohuar se i është dhënë leja mjedisore kompanisë Kelkos Energy për prodhimin e energjisë elektrike nga dy hidrocentralet në Grykën e Deçanit.

Kuçi ka thënë se kjo kompani  nuk i ka plotësuar ende disa kushte.

“ Kelkos me sa e di unë jo! Sepse është në proces, ka me i plotësu disa kushte të caktuara. Ne ende nuk i kemi dhënë leje ndërsa në momentin kur i plotëson e merr lejen, por deri më tani nuk i ka plotësuar”, tha ai.

KELKOS-it i ishte ndalur prodhimi i energjisë elektrike më 14 tetor në tre hidrocentrale te Gryka e Deçanit dhe pas një muaji, në mbledhjen e sotme që pritet të fillojë nga ora 9:30  do të diskutohet pajisja e këtij investitori me leje për prodhimin e energjisë elektrike.