Foto e marrë nga Telegrafi
Pasi e quan kriminel lufte presidentin serb, Sanduloviq: Vuçiq mund të shkojë në Kosovë kur ta pranojë masakrën e Reçakut dhe të kërkojë falje
Ish-kandidati për president të Serbisë, kryetar i Partisë Republikane, Nikolla Sanduloviq, ka përgëzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se nuk do ta lejojë presidentin serb Aleksandar Vuçiq ta vizitojë Kosovën.
Sanduloviq e duke e quajtur Vuçiqin kriminel lufte dhe e ka porositur që para se të shkojë në Kosovë, duhet të kërkojë falje dhe ta pranojë krimin e kryer në Reçak.
“Si mund të jetë Kosova zemra e Serbisë kur ti president i Republikës së Serbisë nuk mund të hysh në Kosovë derisa Albin Kurti mos të lejojë! Së pari ti president i Serbisë, kriminel lufte të kërkosh falje dhe ta pranosh krimin që ka ndodhur në Reçak, pastaj të hysh [në Kosovë]! Bravo Albin Kurti”, ka shkruar Sanduloviq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar së në muajin qershor do të vizitojë Kosovën, e kryeministri vendit, Albin Kurti, tha se nuk ka pranuar kërkesën nga Vuçiq për një vizitë të tillë
Ai u shpreh se nuk do t’i jepte leje njeriut që deklaroi se masakra e Reçakut është fabrikim.
“Unë nuk kam marrë asnjë kërkesë për një vizitë të tillë dhe duke pasur gjendjen rrethanat në të cilat ndodhemi ai nuk do të ishte person i dëshiruar në Kosovë dhe mbase kjo është arsyeja se ai që më shumë se dy vjet nuk e bën këtë kërkesë”.
“Nëse keni parasysh që personi thotë që masakra e Reçakut është fabrikim dhe asnjëherë nuk e ndryshoi këtë gjë, unë nuk mendoj që do të duhej të vinte në Republikën e Kosovës”
“Natyrisht që nuk do t’i japë leje”, deklaroi Kurti në Klan Kosova.
Duke ironizuar tha se “mbase më mirë të bëjë kërkesën, por pasi që e thashë këtë ai nuk do ta bëjë fare kërkesën”.
Ndërsa, ish kandidati për president të Serbisë, Sanduloviq, më 17 shkurt ka vizituar Kosovën dhe ka bërë homazhe në varrezat e Memorialit në Prekaz, në 15 vjetorin e pavarësisë.
I shoqëruar nga krerët e shtetit të Kosovës, Sanduloviq pas homazheve ka thënë se do të bëj gjithçka që kriminelët që kryen një krim kaq të tmerrshëm të përgjigjen.
“Është ditë e vështirë dhe nder i madh që më është mundësuar nga kjo qeveri, me presidenten tuaj të nderuar dhe kryeministrin tuaj të nderuar, të më bëjnë të mundur që në emër të Serbisë së ndershme, të kërkoj një ndjesë të madhe dhe të kërkoj falje për të gjitha krimet e kryera nga Millosheviqi dhe kjo qeveri aktuale në Serbi, që kanë bërë ndaj jush.
Do të bëj gjithçka që kriminelët që kryen një krim kaq të tmerrshëm ndaj jush të përgjigjen… Zoti ju bekoftë me shëndet dhe Zoti na dhëntë një paqe të merituar për të gjithë, faleminderit”, ka thënë Sanduloviq.
Ai gjatë vizitës në Kosovë ka zhvilluar takime me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti. /Telegrafi