Pasi e kuptoi se i është caktuar paraburgimi, i dyshuari arratiset nga Pallati i Drejtësisë

L.H. pasi kishte marrë vesh se i është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji nga gjyqtari i procedursës paraprake, për veprat penale “armëmbajtje” dhe “lëndim të rëndë trupor” i ka ikur Policisë së Kosovës. Rasti ka ndodhur sot, më 14.02.2025, në Pallatin e Drejtësisë.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar Gjykata e Prishtinës përmes zëdhënëses, Mirlinda Gashi.

“Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me çështjen penale ndaj të pandehurit L.H. ka marrë informacion se i njëjti, pasi që ka pranuar Aktvendimin për caktim të paraburgimit, ka arritur që t’i ikë Policisë së Kosovës.” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Sipas përgjigjes së Gjykatës, ikja e të dyshuarit në këtë rast nuk mbetet në përgjegjësi të Gjykatës, por të Policisë së Kosovës të cilët janë kompetent.

L.H., i dyshuar për “armëmbajtje” dhe “lëndim të rëndë trupor”, ndaj të cilit është mbajtur seanca dëgjimore nga Gjykata e Prishtinës i është caktuar masa e paraburgimit.

Arsyeja për caktimin e kësaj mase – sipas përgjigjes së Gjykatës – është se në rast se L.H. gjendet në liri, i njëjti mund të jetë i paarritshëm për të zhvilluar procedurën penale.

Por, me të pranuar këtë Vendim për paraburgim, i dyshuari ka arritur t’i ikë Policisë së Kosovës, pasi kishte përfunduar seanca dëgjimore ndaj tij.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka vendosur lidhur me Kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit L.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: ‘mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘lëndim i rëndë trupor’. Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar Kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit L.H. dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

“Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse nëse i pandehuri L.H. lihet në liri, i njëjti mund të jetë i paarritshëm për të zhvilluar procedurën penale.” – thuhet tutje në përgjigjet e Gjykatës.

Sipas përgjigjeve, Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me çështjen penale ndaj të pandehurit L.H. ka marrë informacion, se i njëjti pasi që ka pranuar Aktvendimin për caktim të paraburgimit, ka arritur që t’i ikë Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë kompetent për ta siguruar rastin.

“Arratisja e të dyshuarit në rastin konkret nuk mbetet në përgjegjësinë e Gjykatës Themelore, në Prishtinë, pasi Gjykata ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura procedurale, ashtu siç parashihet me Dispozitat ligjore të KPPRK-së. Andaj, për më shumë informata lidhur me këtë çështje, ju mund t’i drejtoheni Policisë së Kosovës.” – thuhet në përgjigjen e plotë të Gjykatës.

Kallxo.com ka dërguar pyetje edhe Policisë, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.