Pas zhvillimeve të fundit, Vjosa Osmani takon ambasadorët e Quint-it

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka njoftuar se ka pasur një takim me ambasadorët vendeve të QUINT-it.

Ajo ka thënë se me ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike.

“Kisha një takim produktiv me Ambasadorët Quint-it për të diskutuar zhvillimet më të fundit politike. I falënderova të gjithë për mbështetjen e vazhdueshme të vendit tonë dhe të gjitha institucioneve tona”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Dje Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare, më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Si presidenti Thaçi ashtu edhe kryeministri Avdullah Hoti kanë anuluar pjesëmarrjen në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë ku pritej të diskutohej për dialogun Kosovë-Serbi.

Hoti anulon takimin në ShBA pas aktakuzës për Thaçin