Pas zbehjes së “ëndrrës së bukur” olimpike, Franca i kthehet krizës politike

Olimpiada e Parisit ishte një sukses mahnitës veror që bëri botën për vete dhe ritheksoi krenarinë kombëtare franceze. Gjendja e pastajme e esëllt do të jetë e zorshme, shkruan Reuters në një analizë që i bën zhvillimeve politike në Francë, që mbetën në plan të dytë gjatë kohës sa u mbajtën Lojërat Olimpike në kryeqytetin Paris.

Me ceremoninë përmbyllëse në linjë me spektaklin sportiv, presidenti Emmanuel Macron tani duhet të merret me krizën e vetë-shkaktuar politike, të cilën e kishte futur nën rrogoz deri në përfundim të Parisit 2024.

Tani do të plasin debatet për shkurtimet buxhetore dhe të vendeve të punës në Qeveri – me zemërimin e votuesve që sigurisht se do të pasojë, vlerëson Reuters.

“Tani duhet të zgjohemi nga kjo ëndërr e bukur”, ka thënë Christine Frant, 64 vjeç në zonën e adhuruesve “Club France” fundjavën e kaluar. “Është e turpshme që do t’i kthehemi rutinës tonë të përditshme, pa qeveri, me zënka në parlament, përderisa këtu kishte vetëm gëzim që e ndanim bashkë”.

Macroni u duk se po e vinte në dyshim fatin e mbarë Olimpiadës kur papritmas shpalli zgjedhje të parakohshme parlamentare vetëm disa javë para nisjes së Lojërave Olimpike. Votuesit zgjodhën një parlament pa fitues të qartë.

Përzgjedhja e një kryeministri që kënaq pritjet e kampit centrist të Macronit, aleancës majtiste dhe Tubimit Kombëtar të së djathtës ekstreme ka dalë të jetë një punë kurthimi.

Pas disa ditësh me pazare politike që nuk çuan në asnjë ujdi pas zgjedhjeve të 7 korrikut, Macroni shpalli armëpushim politikë gjatë kohës së Lojërave, duke i dhënë vetes kohë deri në mesgusht për të emëruar një kryeministër dhe për të krijuar hapësirë për negociata ndërmjet partive politike.

Sabotimi misterioz në hekurudha dhe sulmet në telekomunikime në fillim të Olimpiadës u dukën si paralajmërim ogurzi, por Lojërat vazhduan pastaj pa ndonjë telashe sigurie.

Macroni u tërhoq në rezidencën presidenciale në rivierën franceze, me inkursione të herëpashershme në Paris, përfshirë për një përqafim të gjatë me titanin francez të xhudos, Teddy Riner, pasi rrëmbeu medaljen e katërt të artë në karrierë.

Përderisa shumëkush ndoqën me sytë katër lojën e Lebrunëve, dy vëllezërve lojtarë ping-pongu, ose brohorisnin yllin e notit, Leon Marchand, politikanët francezë po komplotonin një shtegdalje nga kriza.

Tani, është koha që Macroni të marrë një vendim.

Koha vendimtare

Ai ka injoruar kandidaten për të cilën ishin pajtuar anëtarët e aleancës së majtë, Fronti i Ri Popullor, që doli i pari në zgjedhje, por që ende i duhen ujdi me parti tjera për të siguruar shumicën në parlament.

Pavarësisht përpjekjeve për të fuqizuar profilin e saj me intervista mediatike, kandidatja e zgjedhur, Lucie Castets, mbetet një e panjohur politike.

“Kush është ajo?” – ka pyetur Zahera Dakkar, 40 vjeçe, pasi ka shikuar ndeshjen finale të volejbollit në “Club France”. “Ka dy javë që nuk kam ndjekur politikën. Lojërat ishin një arratisje prej të gjithave”.

Shpresat e Castets për të marrë Matignonin, rezidencën kryeministrore, duken të vakëta. Macroni beson se votimi për Asamblenë Kombëtare, “qendra e graviteti e së cilës është në qendër, ose në qendrën e djathtë”, ka deklaruar një burim i afërt me të.

“Na duhet personalitet i zoti për të folur me qendrën, të djathtën dhe të majtën. Aso që ka qasje sociale prej të djathtës deri te e majta dhe që kujdeset për ligjin dhe rendin”, ka deklaruar burimi, i cili ka refuzuar të identifikohet për shkak të mendimeve që i ka presidenti.

Përzgjedhja eventuale e Macronit nuk mund të jetë një lajkatar, ka shtuar burimi, me figurën opozitare që duhet t’ia japë qeverisë “shijen e bashkëjetesës”.

Xavier Vertrand, ish-kryeministër konservator nën ish-presidentin Jacques Chirac, i cili ka pasur fjalë të forta kundër Macronit, por që ka bashkëpunuar në mënyrë konstruktive me qeverinë e tij në rajonin e tij verior, mundtë jetë i përshtatshëm, ka shtuar burimi.

Bernard Cazeneuve, ish-kryeministër nën presidentin socialist, Francois Hollande, që ishte në krye të pushtetit në kohën e sulmeve islamiste në Paris më 2015, gjithashtu mund të hyjë në punë, ka shtuar burimi. Të dy burrat e përmendur nuk u janë përgjigjur kërkesave të Reutersit për komentim.

Sfida e buxhetit

Këdo që e emëron Macroni  do të përballet me një detyrë të rëndë, me aprovimin parlamentar të buxhetit të vitit 2025 në kohën kur Franca është nën presion të Komisionit Evropian dhe tregjeve financiare për të reduktuar deficitin e saj.

“Nëse Macroni mundohet të emërojë njëfarë qeverie drjathtiste, nuk do të ketë buxhet”, ka thënë Eric Coquerel, drejtues majtist i komitetit të financave në parlament.

Shpura e Macronit është e prirë t’i përdorë Lojërat, të organizuara nën një president centrist, një kryetare socialiste kryeqyteti dhe një lider rajonal konservator, si shembull se çfarë është e zonja të bëjë Franca kur bëhen bashkë njerëzit e ndryshëm.

Rivalët e tij do të bëjnë çmos që lavdinë të mos e marrë presidenti, ka thënë senatorja Laure Darcos.

Edhe nëse mbështetja e brendshme për Macronin mbetet e zbehtë, Lojërat Olimpike ka fuqizuar rejtingun e tij ndërkombëtar.

Michael Payne ish-shef marketingu në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, ka thënë se presidenti po shihet jashtë si “lideri që ai doli”, por beson se Macroni ka bërë një gabim të madh strategjik, duke shpallur zgjedhje të parakohshme para Olimpiadës në vend se t’i mbante pas saj.

Në “Club France”, ku familjet mblidheshin e rreshtoheshin për të shkrepur selfie me flakadanin olimpik ose me maskotat e kuqe pushatake, ishte e zorshme të gjeje dikë që dëshironte të fliste për politikë.

“Të lutem, mos!” – ka thënë Frant, me një flamur francez të mbështjellë rreth qafës.

 Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com