
Foto:Komuna e Vushtrrisë/ Facebook
Pas vrasjeve në Vushtrri, rekomandohet shtimi i kontrolleve dhe patrullave policore në gjithë territorin
Pas tri vrasjeve të rënda që ndodhën brenda një dite në Vushtrri, Kuvendi Komunal i kësaj komune ka mbajtur mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.
Përmes një njoftimi të lëshuar nga komuna, në mbledhje, thuhet se është diskutuar për masat e menjëhershme që duhet të merren për rritjen e sigurisë për qytetarët.
Disa prej rekomandimeve që kanë dalë nga ky takim janë që Drejtoria e Arsimit të mbajë takime të rregullta me prindërit dhe që Policia të shtojë kontrollin në gjithë territorin, si në shkolla dhe hapësira publike dhe të shtohen patrullimet këmbësore në zonat e frekuentuara të qytetit.
Po ashtu është rekomanduar edhe respektimi i orarit të punës së lokaleve afariste, gastronomi dhe lokalet që si veprimtari kanë video-lojërat.
Është rekomanduar gjithashtu që në institucionet fetare të mbahen ligjërata vetëdijësuese kundër dhunës dhe organizmi i fushatave vetëdijësuese.
“Si Komunë e Vushtrrisë mbesim të përkushtuar për bashkëpunim me të gjitha institucionet e sigurisë, me qëllimin e vetëm që të ofrohet siguri e plotë për qytetarët tanë”- citohet të ketë thënë Idrizi në mbledhjen e Këshillit.
Brenda 24 orëve kanë ndodhur tri vrasje në Vushtrri.
Pasditën e së hënës, në fshatin Stanoc të Vushtrrisë, ka ndodhur një vrasje e dyfishtë ku dyshohet se një burrë ka vrarë me armë zjarri një grua dhe më pas edhe veten.
Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës, derisa është njoftuar se hetuesit policorë nën udhëheqjen e Prokurorit po vazhdojnë hetimet për veprat penale: “vrasje e rëndë” dhe “vetëvrasje”.
Vrasja e dyfishtë në Vushtrri – Prokuroria jep detaje
Ndërsa, mbrëmjen e së dielës, një 19-vjeçar mbeti i vrarë pas të shtënave me armë në qytetin e Vushtrrisë, nga një i dyshuar i moshës së njëjtë.
I dyshuari është arrestuar, ndërsa e ka pranuar fajësinë për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij.
Ndaj të dyshuarit, Prokuroria në Mitrovicë bëri Kërkesën e paraburgimit.
Gjykata e Mitrovicës më 24.03.2025 ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji