Pas vrasjes në Prizren Çitaku ngrit çështjen e armëve pa leje në Kosovë

Pas vrasjes që ka ndodhur në Prizren, ku ka mbetur e vrarë e një grua nga bashkëshorti i saj, ka reaguar edhe ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku.

Çitaku ka ngritur çështjen e armëve pa leje që janë në dorë të qytetarëve në Kosovë. Poashtu edhe se sa është e lehtë të pajisesh me një armë të tillë.

“Pastaj, a nuk ka ardhë koha të flasim për numrin e madh dhe të pakontrolluar të armëve në duar të personave të paautorizuar. Sa armë pa leje janë në Kosovë? Dhe sa lehtë është të pajisesh me një të tillë”, ka deklaruar Çitaku.

Më tej Çitaku ka shtuar se burri që e ka vrarë gruan e tij në Prizren e i cili sapo kishte ardhur në Kosovë me siguri nuk e ka sjellë armën nga atje.

“Personi që vrau gruan mbrëmë në Prizren sapo paska ardhë nga Zvicrra. Ju garantoj që atë revole nuk e ka sjellë nga atje”, ka përfunduar ajo.

Prokuroria e Prizrenit ka njoftuar se vrasja me armë zjarri ka ndodhur mbrëmë, rreth orës 23:18.

Sipas dyshimeve të para të Prokurorisë, i dyshuari me inicialet B.V., dhe viktima A.V., kanë qenë bashkëshortë, ndërkaq ende nuk dihet motivi i vrasjes.

Në vendin e ngjarjes është gjetur viktima, pistoleta, dy karikatorë si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm.

Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Poashtu, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, policia ka bastisur edhe shtëpinë e të dyshuarit, ku gjatë bastisjes kanë sekuestruar: një pistoletë, dy karikatorë si dhe 42 fishekë të pistoletës.

Me urdhër të prokurorit kujdestar të Departamentit të Krimeve të Rënda, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa, gjatë ditës pritet që në Gjykatë të dorëzohet edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj e ka konfirmuar përmes një postimi në Facebook se gruaja që ka mbetur e vrarë në Prizren është nëna Diellza Hotit, këshilltares së kabinetit të tij.

“Thellë i prekur nga vdekja tragjike e Armenda Aliut, mikes sonë dhe nënës së koleges nga kabineti Diellza Hoti. Ngushëllime familjes dhe miqve. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, ka shkruar Haradinaj.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur ngushëllime për vrasjen në Prizren dhe e ka quajtur të papranushme dhunën në familje.

(FOTO) Vendi ku ndodhi vrasja në Prizren