Pas vrasjes dhe plagosjeve në lagjen Aktash në Prishtinë, pati bastisje nga policia
Disa lokacione të ndryshme janë bastisur e kontrolluar mbrëmë në orët pas mesnatës nga ekipet e Policisë së Kosovës me urdhër të Prokurorisë së Prishtinës.
KALLXO.com ka kontaktuar me Kryerprokurorin e Prishtinës, Zejnullah Gashi për ngjarjen.
Deri në orët e vona ai kishte qëndruar në vendin e ngjarjes bashkë me prokurorin kujdestar.
“Po ka pasur edhe bastisje në disa lokacione, por nuk është gjetur dicka”- tha Gashi për KALLXO.com.
Në një deklarim për KALLXO.com për rastin, Gashi tregoi edhe për motivet e para që dyshohen se dërguan deri te ngjarja që u regjistrua në orët e mbrëmjes së datës 01.09.2024.
Ai theksoi se deri te ngjarja erdhi shkaku i një rasti i cili ishte raportuar muaj më parë. Fjala është për plagosjen e Pajtim Gashit në mars të këtij viti.
“Një person është i ndaluar për një vepër penale të mëhershme, është ngritur aktakuzë të enjten, për të Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar edhe masën e vazhdimit të paraburgimit” – tha tutje ai.
Përveç 5 të plagosurve që janë në intensivë në QKUK, që automatikisht llogariten të arrestuar, Policia ka ndaluar edhe një person tjetër, ndërsa janë në kërkim të së paku edhe dy personave të tjerë të dyshuar.
“Janë dy familje të cilat si pasojë e një mosmarrëveshje të mëhershme kanë qenë të përfshira edhe tani në ngjarje”- ka thënë Gashi.
“Këtu në vendin e ngjarjes minimum 3 persona kanë sulmuar me armë të gjata, ka nisur një shkrepje me armë – kanë mbetur të plagosur 5 persona dhe një person ka mbetur i vdekur” – tha Gashi.
Në këtë ngjarje një person ka mbetur i vdekur dhe pesë të tjerë janë plagosur, me ç’rast po trajtohen në QKUK.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur rreth ores 22:00 të datës 01.09.2024 në rrugën ‘Gazmend Zajmi’ në Aktash të Prishtinës.
KALLXO.com raportoi se breshëri plumbash janë shkrepur mbrëmë në lagjen Aktash. Në disa pamje të cilat ka parë KALLXO.com shihen dy persona me një motor katër rrotësh deri sa gjuajnë në drejtim të një personi tjetër.
Viktima i ishte kundërpëgjigjur sulmit me një armë të gjatë të tipit kallashnikovë. I njëjti nga plagët e marra nga sulmi ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes ndërsa vetëm disa orë më vonë ishte dërguar trupi i tij për obduksion.
Një pjesë e rrugës “Gazmend Zajmi” edhe mëngjesin e sotëm ka qenë e mbyllur me shirita të policisë dhe nuk lejohej qarkullimi. Një numër i madh i provave janë evidentuar dhe të njëjtat vazhdonin të ishin në vendin e ngjarjes edhe orët e mëngjesit të sotëm.
KALLXO.com edhe sot ka qenë në vendin e ngjarjes dhe ka parë nga afër që perimetri ishte mbikëqyrur dhe siguruar gjatë gjithë natës.
Detaje nga aktakuza për plagosjen e Pajtim Gashit
Dy familje, Sekiraqa e Gashi po dyshohen se u përfshinë në ngjarjen e cila u regjistrua rreth orës 22:00 më 01.09.2024 në Lagjen Aktash në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë.
Ngjarja sipas informacioneve që posedon KALLXO.com është vazhdimësi e një rasti paraprak që ka ndodhur muaj më parë. P.G., ishte plagosur në mars të këtij viti ndërsa i dyshuar për këtë ngjarje ishte Shkumbin Sekiraqa. Ky i fundit tashmë ka një aktakuzë e cila është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 28.08.2024.
KALLXO.com ka arritur që të siguroj aktakuzën në të cilën jepen detaje të plagosjes së marsit. Edhe në atë kohë dyshimet ishin për përfshirjen e të njëjtave familje.
Shkumbin Sekiraqa është djali i Salih Sekiraqës e që ky i fundit mbeti i plagosur në Lagjen Aktash në Prishtinë.
Për Shkumbin Sekiraqën prokuroria kishte kërkuar që t’i vazhdohej masa e paraburgimit deri sa është ngritur edhe aktakuza ndaj tij.
Shkumbin Sekiraqa akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës se më 04.03.2024 kishte tentuar ta privoj nga jeta Pajtim Gashin. Ky i fundit mbeti i plagosur.
“Rreth orës 10:00 në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë deri sa ishte duke lëvizur me një veturë të tipit “Audi” pronë e të pandehurit tjetër M.Haliti, ishte takuar me personin NN i cili lëvizste me një pickap, i pandehuri Shkumbin Sekiraqa për arsye të panjohura me dashje me qëllim që të privoj nga jeta të dëmtuarin Pajtim Gashi pas bisedës me NN personin i drejtohet me fjalt “paja shoq a po më njeh mu” ku më pas e sulmojnë fizikisht”- përshkruhet ngjarja e cila ndodhi më 04.03.2024.
Dosja e prokurorisë përshkruan se Shkumbin Sekiraqa kishte nxjerrë armën e zjarrit kishte shtënë në drejtim të Pajtim Gashit e më pas e kishte goditur në kokë me kondakt të armës.
“Me këto veprime i shkakton lëndime në kokë dhe një plagë në këmbën e djathtë, i dëmtuari (Pajtim Gashi) ka arrit të largohet nga vendi i ngjarjes, i pandehuri (Shkumbin Sekiraqa) ka vazhduar që të gjuaj në drejtim të tij”- thuhet në aktakuzën që ka siguruar KALLXO.com.
Me këto veprime Shkumbin Sekiraqa sipas prokurorisë ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë.
E me të njëjtat veprime Sekiraqa dyshohet se kreu edhe veprën tjetër penale atë të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm pasi që i njëjti kishte përdorur armën e zjarrit në një vend publik dhe kishte rrezikuar edhe jetën e personave të tjerë që kishin qenë në rrugë.
Një tjetër vepër penale ndaj Sekiraqës, Prokuroria e Prishtinës ka theksuar se është kryer, konkretisht ajo e mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim të armës pa leje.
Shkumbin Sekiraqa në polici në deklarimin e tij kishte mohuar përfshirjen e tij në rast.
“çka kam thënë në polici është e vërtetë dhe nuk kam tjetër çka të shtoj tani nuk dua të deklarohem më. Në polici ka deklaruar se nuk ka lidhje me rastin që ka ndodhur më datë 04.03.2024 dhe nuk e njeh të dëmtuarin Pajtim Gashi”- thuhet tutje në dosjen e prokurorisë.
E Pajtim Gashi kishte deklaruar se në datën e lartëpërmendur, deri sa ishte në afërsi të një biznesi familjar.
“Ka ardhë një person me veturë të kuqe, personi më është ofru dhe më ka thënë “pse po më këqyrë” ka filluar të më shaj me fjalë banale “çka k… po më këqyrë”, i kam thënë nuk jam ka të këqyri o vlla po shko rrugës tande ai më ka thënë se je ka më këqyrë shtremtë, pas kësaj ka vazhdu me veturë, kah objekti teposhtë vetura e ka pas derën e hapur dhe pse ishte duke vozitur ai e mbajtje derën qelë, mandej pasi që është largu diku 15 metra e ka ndalë derën ka dalë nga vetura është nis në drejtim të tij nuk i ka parë asgjë në dorë dhe ka filluar prapë të shajë”- ka shpjeguar Pajtim Gashi në prokurori ngjarjen e marsit.
Gashi kishte treguar për sulmin e më pas edhe për të shtënat me armë.
“Me sa din ai ka shtënë 5-6 herë. Shkumbin Sekiraqën nuk e njeh nuk e ka njohur më parë dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme me të. Në polici nuk ka arritur që ta identifiku Shkumbin Sekiraqën, Pajtim Gashi”- thuhet në dosje.