Pas vlerësimit të pakove nga Diaspora, refuzohen mbi 1,200 fletëvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar rreth vlerësimit të pakove me vota të ardhura nga Diaspora.

Sipas KQZ-së, procesi ka nisur ashtu siç ka paraparë vendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës për numërimin e rreth 5 mijë votave të ardhura me postë.

KQZ po ashtu ka njoftuar se pas verifikimit të pakove me vota, janë pranuar 4 mijë e 670 fletëvotime ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 212 të tjera.

“Fillimisht, meqenëse bëhet fjalë për fletëvotime nga jashtë vendit, kemi filluar me procesin e vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime. Procesi i vlerësimit është i domosdoshëm pasi vetëm në këtë mënyrë ne arrijmë të vërtetojmë nëse pakoja me fletëvotim është dërguar nga personi i regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit”, thuhet në njoftim.

“Gjithashtu, në këtë proces ne arrijmë të dimë nëse brenda një dërgese ka më shumë se një pako me fletëvotime”, thuhet tuje në komunikatën e KQZ-së.

Ky institucion ka shpjeguar edhe arsyet e refuzimit të mbi 1 mijë fletëvotimeve. Sipas KQZ-së, në këto fletëvotime kishte gabime të ndryshme.

“Pra, duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Supreme, janë vlerësuar 4 mijë e 639 pako të supozuara me fletëvotime dhe në fund kemi 5 mijë e 882 pako me fletëvotime të individualizuara. Pas vlerësimit të tyre janë aprovuar 4 mijë e 670, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 212”, thuhet në njoftim.

Arsyet e refuzimit të tyre kategorizohen në 5 grupe si në vijim:

  • 535 raste kur kanë dërguar pako me fletëvotime persona që nuk janë regjistruar suksesshëm si votues në listën votuese jashtë Kosovës;
  • 115 raste janë kur kanë dërguar pako me fletëvotime persona që janë refuzuar për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës;
  • 128 raste të tjera që kanë dërguar fletëvotime persona që nuk kanë dërguar kopje të dokumentit për t’u identifikuar;
  • 159 raste kur personat kanë dërguar fletëvotime më shumë se një herë; dhe
  • 275 raste kur personat që kanë dërguar fletëvotime kanë pasur kopje të dokumentit me afat të skaduar.

Pra, vetëm zarfet e supozuara me fletëvotime do të numërohen këtu në QNR, e që janë gjithsejtë 4 mijë e 670.

Sot, ndaj refuzimit të këtyre fletëvotimeve ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje.

VV akuzon Sekretariatin e KQZ-së për moszbatim të vendimit të Supremes

 

www.kallxo.com