Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pas vendimit të KPMSHCK, Sveçla kthen në punë Fadil Kodrën

Dy muaj e gjashtë ditë pas vendimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për lirimin nga puna të ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave, Fadil Kodra, ky i fundit u kthye prapë në punë.

Ky vendim është marrë sot nga ministri Sveçla pas obligimit që ai mori nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) për ta kthyer Kodrën në punë.

“Fadil Kodra kthehet në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave” – është thënë në vendimin e MPB-së.

Tutje është thënë se Kodrës do t’i kompensohet paga nga data kur ai ishte liruar nga detyra, 14 korrik 2022 deri më sot.

Më 7 shtator 2022 KPMSHCK kishte anuluar vendimin e të parit të MPB-së duke e detyruar atë që brenda afatit kohor prej 15 ditëve ta kthejë prapë Kodrën në punë.

“Obligohet Ministri i MPB-së, që brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi të kthej ankuesin Fadil Kodra në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës” – ishte thënë në vendimin e KPMSHCK-së.

Përveç kësaj, në vendimin e publikuar nga avokati i Kodrës, Faton Fetahu, MPB obligohej që Kodrës t’ia kompensojë pagën nga data 14 korrik 2022 deri në zbatimin e vendimit.

E gjithë kjo ka ndodhur pas ankesës që Kodra kishte bërë më 22 korrik 2022, ankesë kjo që më pas u aprovua si e bazuar.

Në pjesën tjetër të vendimit të KPMSHCK-së, të siguruar nga KALLXO.com, është thënë se Fadil Kodra në ankesën e tij ka pretenduar se Sveçla ka vepruar në mënyrë të gabuar dhe të kundërligjshme në rastin e tij.

Sipas këtij vendimi, Sveçla për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së Kodrës e ka përdorur një vendim, i cili, sipas ankuesit, prej 7 vitesh nuk është në fuqi.

Madje, Kodra në ankesën e tij ka pretenduar se edhe vendimi tjetër i marrë nga MPB për caktimin e zëvendësuesit të drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, është nxjerrë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

5 ditë pas dorëzimit të ankesës, më 27 korrik 2022, KPMSHCK ka proceduar kërkesën në MPB, me qëllim që të marrë përgjigje për ankesën e Kodrës.

Këto përgjigje janë dorëzuar nga ana e Ministrisë më 5 gusht 2022.

Në këto përgjigje, sipas vendimit që ka siguruar KALLXO.com, është thënë se pretendimet e ankuesit, respektivisht të Fadil Kodrës, nuk qëndrojnë.

“Sipas organit të punësimit, gjegjësisht Ministria e Punëve të Brendshme, ankuesit nuk i është cenuar ndonjë e drejtë nga marrëdhënia e punës me vendimet e konstatuar si në ankesë” – është thënë në vendim.

Pas përgjigjeve që KPMSHCK-ja mori nga ana e MPB-së, Kolegji për Shqyrtimin dhe Vendosjen e Ankesave për vërtetimin e plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike si dhe vendosjes në mënyrë meritore ka administruar një mori provash.

Nga analizimi i këtyre provave, ky Kolegj ankesën e Fadil Kodrës e ka cilësuar si të bazuar.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur e cila pretendon se vendimi i Këshillit nuk është i ligjshëm, mund të iniciojë konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë brenda një afati prej 30 ditësh.

Si ndodhi që KPMSHCK të anulojë vendimin e Sveçlës dhe ta kërkojë kthimin e Fadil Kodrës në punë?