Blerim Vela

Pas vendimit që i hapë rrugë Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, Vela ironizon me Daçiqin

Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës sot në një mbledhje të jashtëzakonshme mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.

Shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Blerim Vela, përmes rrjetit twitter ka ironizuar me vizitën e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq në Strasburg.

Ai ka “falënderuar” Daçiq për vizitën në Strasburg, që sipas Velës ndikoi në votimin e sotëm të Këshillit.

“Kosova qëndron e vendosur në përkushtimin e saj për demokraci dhe të drejtat e njeriut. Ndërsa, Serbia ka ngecur në të kaluarën dhe po promovon politika shoviniste dhe hegjemoniste. P.s Falënderim shkon për vizitën e Daçiq, që shpiu në votimin e sotëm në KiE Punë e mrekullueshme! Do godine u Strazburu”—ka shkruar Vela.

Vela ka thënë se ky sukses është rezultat i lobimit të gjerë diplomatik të institucioneve të Kosovës dhe mbështetjes nga vendet partnere.

“Ky sukses është rezultat i lobimit të gjerë diplomatik të institucioneve të Kosovës dhe mbështetjes së jashtëzakonshme nga vendet partnere. Me gjithë pengesat e Serbisë dhe shkeljen e marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, ky është zbatimi aktual i nenit 4”- është shprehur ai.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, do të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Evropës , pavarësisht se kishte thënë paraprakisht se nuk do të udhëtonte në Strasburg për shkak të paralajmërimit se Kosova do të pranohet në këtë institucion, raportoi Agjencia Beta.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë konfirmoi për Agjencinë Beta se Daçiq do të marrë pjesë në seancë, e cila mbahet në përvjetorin e 20-të të pranimit të Serbisë në Këshillin e Evropës.

“Në Strasburg, ministri Daçiq do të tentojë të ndalojë procedurën e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Ministria e Jashtme serbe.

Kryediplomati serb deklaroi më 17 prill se nuk planifikonte të shkonte në Strasburg të martën, nëse Kosova do të pranohej në këtë institucion.

Daçiq tha se dhjetë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, u njoftua se Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës do të nisë procedurat për pranimin e Kosovës.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

Për pranim në Këshillin e Evropës duhen dy të tretat e votave.