Pas variantit të ri të COVID-19, Ministria e Shëndetësisë paralajmëron masa të reja

Pas identifikimit të varianti i ri të koronavirusit, Omicron (B.1.1.529) fillimisht në Afrikë e pastaj edhe në disa shtete jashtë këtij kontinenti, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka paralajmëruar shqyrtim të masave në fuqi dhe marrjen e masave te reja.

Sipas komunikatës së Ministrisë së Shëndetësisë, në këtë takim u konstatua se situata me pandeminë në vendet në rajon, Evropë dhe më gjerë është përkeqësuar javët e fundit dhe përkundër që në Kosovë numri i rasteve të COVID-19 është i vogël në javët e fundit, situata është jostabile.

Gjithashtu në komunikatë thuhet se informatat e para flasin që varianti tjetër i SARS –COV-2, Omicron, karakterizohet me shumë mutacione, përhapje të shpejtë dhe nuk ka shumë informata rreth rezistencës së tij ndaj vaksinave.

“Për këtë qëllim u kërkua nga qytetarët e vendit që t’i zbatojnë masat në fuqi, të vaksinohen, derisa nga institucionet përgjegjëse, si Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse, u kërkuar që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës, në të gjitha degët e ekonomisë dhe veprimtaritë arsimore e institucionale. Komiteti, në mënyrë specifike u ka bërë thirrje qytetarëve të moshës mbi 12 vjeçe që të vaksinohen pa humbur kohë kundër COVID-19”, thuhet në komunikatën e MSh-së.