Skenë nga shfaqja “Ëndërrat e Hamletit’. Foto: Facebook/Mentor Zymberaj.
Pas triumfit në Mongoli, ‘Ëndërrat e Hamletit’ prezantohet në festivalin e monodramës në Ukrainë
Pas triumfit në Mongoli, monodrama ‘Ëndërrat e Hamletit’ po prezanton Kosovën në festivalin e monodramës “Vidlunja” në Ukrainë.
Edicioni i 16-të i festivalit “Vidlunja” ka nisur më 12 shtator në qytetin Kamiansky dhe do të zgjasë deri më 17 shtator 2024.
Pjesëmarrja e monodramës, “Ëndërrat e Hamletit” në festivalin “Vidlunja”, vjen pak ditë pas triumfit në festivalin “Parade of Winners”, cili u mbajt nga 6 deri më 10.09. 2024 në Ulanbator të Mongolisë, ku edhe mori çmimin kryesor të festivalit, “Grand prix”.
Autori i monodramës “Ëndërrat e Hamletit”, Mentor Zymberaj tha për KALLXO.com se prezantimin i shfaqjes së tij në Ukrainë, por edhe triumfi në festivalin e Mongolisë, flet për zhvillimin e skenës teatrore kosovare.
“Monodrama ‘Ëndërrat e Hamletit’ po vazhdon të vlerësohet lartë nga juritë e festivaleve, kritika teatrore, artistët ndërkombëtare e mediat. Suksesi në festivalin “Parade of Winners” në Mongoli, është edhe një sukses i artit dhe skenës kosovare në konkurrencën dhe prezantimet ndërkombëtare”- tha Zymberaj.
“Ëndërrat e Hamletit” është realizuar në kuadër të Shtëpisë Teatrore Filmike “AKT” dhe ITI-Qendra në Kosovë. Regjinë e shfaqjes e ka bërë Mentor Zymberaj, i cili edhe aktron në shfaqje, ndërsa teksti është shkruar nga Nina Mazur.