Foto: HRT/IMS

Pas tragjedisë ku mbetën të vdekur 10 persona, reagon kompania 'Deva Tours'

Kompania ‘Deva Tours’, autobusi i të cilës ishte përfshirë në aksidentin ku mbetën dhjetë të vdekur në Kroaci, ka deklaruar se janë përpjekur të jenë maksimalisht për shërbim sa më të mirë për bashkatdhetarët, por shtojnë se kjo tragjedi ua preu rrugën.

Në komunikatën e tyre kanë shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave. Gjithashtu kanë falenderuar organet e shtetit kroat dhe kosovar për gatishmërinë e treguar, teksa shtojnë se mbesin të hapur dhe me besimin e plotë që do të zbardhet çdo rrethanë rreth kësaj ngjarje.

Dhjetë mërgimtarë teksa po vinin në Kosovë përmes linjës së autobusëve Frankfurt – Prishtinë kanë vdekur pasi autobusi doli nga korsia dhe u rrëzua. 15 persona u lënduan rëndë dhe 30 u plagosën lehtë. Njëri nga dy shoferët është në mesin e viktimave. Kurse shoferi që po voziste në ato momente është paraqitur sot para Prokurorisë së Kroacisë.

Kjo është komunikata për media e postuar në Facebook nga Kompania Deva Tours, e publikuar pa ndërhyrje:

Të dashur familjarë dhe të afërm të pasagjerëve, vëllezër dhe motra,

Me trishtim dhe dhimbje të madhe po e përjetojmë qdo sekond të tragjedisë së djeshme e cila do të na përcjellë gjatë gjithë jetës! Është e vështirë të gjinden mendimet dhe fjalët racionale për t’a përshkruar peshën e dhimbjes që secili nga ne po e bart mbi supe. Bashkendjejmë sot me secilin prej jush me ndjenjat më të sinqerta të dhembshurisë pasi që ata ishin edhe vëllezërit dhe motrat tona me të cilët kemi bashkëudhëtuar shumë herë.

Si gjithmonë, jemi përpjekur të jemi maksimalisht në krye të detyrës dhe shërbimit sa më të mirë për bashkatdhetarët tonë. Por, fatkeqësisht kjo tragjedi na preu rrugen dhe na mori me vete më të dashurit, dhe poashtu edhe kolegun tonë shembullor Naserin i cili la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë si njeri i mire, puntor i zellshëm dhe i kompletuar.

Pranoni edhe një herë ngushllimet tona më të sinqerta!

Duke ju faleminderuar organeve të shtetit Kroat dhe Kosovar për gatishmërinë e treguar, mbesim të hapur dhe me besimin e plotë që do të zbardhet çdo rrethanë rreth kësaj ngjarje.

Me mendje, zemer dhe lutje do të jemi qdo moment me të lënduarit të cilëve ju dëshirojmë shërim sa më të shpejtë dhe t’i kthehen familjeve të tyre.

Prane jush me dhimbje te madhe,

Deva Tours