
Pas tërmeteve të njëpasnjëshme shpallet gjendje e jashtëzakonshme në ishullin grek Santorini
Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në ishullin grek Santorini pas disa ditësh me tërmete të njëpasnjëshme, ka raportuar të enjten më 06.02.2025 televizioni britanik, BBC.
Vendimi është marrë pas një dridhjeje prej 5.2 shkallësh që u regjistrua në orën 21:09 me orën lokale të mërkurën midis ishujve grekë Amorgos dhe Santorini, duke e kthyer në dridhjen më të fortë në ditët e fundit. Vlerësohet se ka ndodhur në thellësi prej 5 kilometrash.
Dekreti do të jetë në fuqi deri më 3 mars që të “adresohen nevojat emergjente dhe që të menaxhohen pasojat”, kanë thënë zyrtarët.
Më shumë se 11 mijë persona janë zhvendosur tashmë nga Santorini. Shtatë mijë banorë janë nisur me traget dhe katër mijë nëpërmjet fluturimeve.
Një tërmet me 4.7 shkallësh u regjistrua gjithashtu në jugperëndim të Amorgos në orën 07:50 me kohën lokale të së enjtes, pas 57 lëkundjeve midis mesnatës dhe orës 06:30.
Deri më tani nuk janë raportuar dëme të mëdha në ishull, por autoritetet po marrin masa paraprake dhe po kujdesen në rast se do të ketë një tërmet më të madh.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, pritet të vizitojë të premten Santorinin.
Vasilis Karastathis, drejtor i Institutit Gjeodinamik, ka deklaruar për ERTNews se “lëkundja vazhdon me të njëjtin ritëm intensiv si gjatë ditëve të mëparshme”.
Santorini mirëpret miliona turistë çdo vit, por aktualisht sezoni shënon rënie, që do të thotë se banorët dhe punëtorët vendas përbëjnë shumicën e të evakuuarve.
Moti i ligë do të thotë se trageti nga Santorini në portin e Pireut pranë Athinës nuk po funksionon. Kushtet e pafavorshme pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Shumë udhëtarë mbeten në portin e Santorinit duke i pritur tragetet e urgjencës pasi shumë familje duan të largohen nga ishulli.
Shkollat në Santorini – dhe ishuj të tjerë fqinj duke përfshirë Anafin, Parosin, Naksosin dhe Mykonosin – do të mbeten të mbyllura deri të premten, kur autoritetet do të marrin një vendim se kur mund të rihapen.
Në ishull është rritur edhe numri i zjarrfikësve dhe personelit mjekësor nga Naksosi, ishull tjetër.
Të gjithë punonjësit e spitalit janë në gjendje gatishmërie që të ndihmojnë ata që kanë mbetur në ishull. Njësitë e ambulancës kanë mbërritur gjithashtu për të përforcuar shërbimin e ishullit dhe pritet ndihma edhe nga forcat e armatosura.
Sipas planifikimit të Ministrisë së Shëndetësisë, në rast nevoje urgjente për personel, puna e parë që do të bëjnë është që të dërgohen në ishujt e tjerë mjekë dhe infermierët. Në rast nevoje në Santorini, në ishull do të dërgohen edhe mjekë nga Athina.
Një stacion telekomunikacioni rezervë po ngrihet në komunën e Santorinit, që do të aktivizohet në rast të një tërmeti të madh dhe problemve të telekomunikacionit.
Vassilis Kikilias, ministri i Klimës dhe Mbrojtjes Civile, ka theksuar se njësitë e zjarrfikësve të trajnuar për fatkeqësitë natyrore po dërgohen në Santorini. Ekipet me qen specialë dhe një qendër operacionale mobile janë dërguar gjithashtu në ishull, ndërsa helikopterët janë në gjendje gatishmërie.
Kikilias ka theksuar gjithashtu se roja bregdetare dhe forcat e armatosura do të jenë në dispozicion për të ndihmuar njerëzit e cenueshëm që dëshirojnë të evakuohen.
Kryeministri Mitsotaki ishte më optimist të mërkurën në një takim të ekspertëve të mbrojtjes civile.
“Shteti në radhë të parë i beson shkencës dhe shkencëtarëve. Këtë e kemi bërë edhe në kriza të tjera”, ka deklaruar kryeministri grek. “Të gjitha planet janë zbatuar. Forcat janë zhvendosur në Santorini dhe në ishujt e tjerë, në mënyrë që të jemi gati për çdo rast”, është shprehur Mitsotakis.
Mitsotakis e përfundoi deklaratën e tij me një apel për banorët e ishullit: “Rrini të qetë dhe bashkëpunoni me autoritetet”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com