Pas tërheqjes së Odës së Avokatëve nga Memorandumi, AGK njofton të gjithë mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka bërë të ditur ditur se sot i ka njoftuar të gjitha organet kompetente vendore dhe ndërkombëtare për tërheqjen e njëanshme të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK) nga Memorandumi i Bashkëpunimit i cili u mundësonte anëtarëve të AGK-së (gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë), përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas.

“AGK mbështetet edhe një herë në përkrahjen e të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë, organizatave jo-qeveritare, ambasadave dhe zyrave të cilat operojnë në Kosovë”, thuhet në një njoftim për medie.

AGK nëpërmjet letrës së shqetësimit ka njoftuar: Zyrën e Bashkimit Evropian, Federatën Evropiane të Gazetarëve, OSBE, UNKT, Zyrën e Këshillit të Evropës, ambasadat e akredituara në Kosovë, si dhe të gjitha organizatat jo-qeveritare.

Dje, AGK ka njoftuar se Oda e Avokatëve të Kosovës ka hequr dorë nga memorandumi i bashkëpunimit.

KALLXO.com ka dërguat pyetje në drejtim të Odës së Avokatëve dhe është duke pritur përgjigje.

Memorandumi i bashkëpunimit mes AGK-së dhe OAK-së ishte bërë më 16 nëntor të vitit të kaluar.