Pas takimit me Kurtin, Krasniqi i PDK-së: Qeveria dështoi në menaxhimin e pandemisë

Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se në takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ia ka thënë të gjitha gabimet që qeveria i ka bërë në menaxhimin e pandemisë me CoVid-19.

Ai ka thënë se pjesëmarrja në këtë takim nuk nënkupton që në të ardhmen dy partitë, PDK dhe Lëvizja Vetëvendosje mund të kenë bashkëpunim të ngushtë.

Sipas nënkryetarit të Kuvendit, ekzekutivi kosovar në detyrë gaboi kur vendosi t’i pranojë 1 mijë teste për COVID-19 nga Sebia.

“Sot isha këtu për t’ia përsëritur kryeministrit dhe atyre të tjerëve prezentë që ata kanë bërë gabime të jashtëzakonshme. Në vend që të krijojnë një lloj bashkëpunimi, ata janë sjellë edhe me përçmim edhe me arrogancë. Tash, kur situata ka filluar t’u ikën nga kontrolli i menaxhimit, një ftesë e tillë që do të duhej të bëhej para gjashtë javësh, u bë sot”, tha Krasniqi, pas takimit të thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Unë në takim i përsërita qëndrimet e PDK-së për gabimet që i ka bërë kjo qeveri dhe ky kryeministër. Ky kryeministër e ka shkelur Kushtetutën. Janë dorëzu para Serbisë. I kanë pranu në mënyrën më të gabueshme të mundshme 1 mijë teste nga Aleksandar Vuçiq, duke ia mundësuar që me një kosto prej 30 mijë eurove, që ai të shpërlahet nga krimet. Sot ata janë shfaqur në media botërore si humanë. Kjo qeveri ka bërë gabim të pafalshëm”, tha ai.

“Ia kam përmendur edhe numrin e vogël të testimeve. Sot e kësaj dite vazhdojmë të jemi vendi me testimet më të vogla, vetëm Shqipëria është me më pak teste për kokë banori”, deklaroi Memli Krasniqi.

Në këtë takim nuk morën pjesë përfaqësuesit nga LDK, AAK, Nisma, ndërsa prezente ishte kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.