Foto: REL

Pas takimit me Hovenier, Lista Serbe thonë se nuk marrin pjesë në zgjedhje derisa të bëhet Asociacioni

Lista Serbe ka zhvilluar një takim sot me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Sipas një njoftimit në facebook, LS i ka thënë Hovenier se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme në komunat ku kryetarët nga kjo parti dhanë dorëheqje deri sa të plotësohen kërkesat e tyre, e që sipas LS-së është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Përfaqësuesit e Listës Serbe, qëndruan qartë se partia jonë mbetet konsistente në qëndrimin e saj se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme lokale në komunat në veri të Kosovës, derisa të plotësohen kërkesat që na bënë të largohemi nga institucionet e Kosovës, që është formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe dhe tërheqja e të gjitha njësive speciale të Prishtinës nga veriu i Kosovës “- thuhet në njoftim.

 

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale do të organizohen në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – pas dorëheqjeve të kryetarëve të tyre, në nëntor të vitit të kaluar.

Dorëheqjet e tyre, si dhe dorëheqjet kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, kanë qenë shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Më 18 mars 2023 kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, një takim trilateral të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve.

Pas takimit maratonë në Ohër, kryeministri Kurti ndër të tjera, tha se ashtu si më 27 shkurt edhe në Ohër Serbia i ka ikur nënshkrimit të aneksit për zbatimin e marrëveshjes.

Ambasadori Hovenier ka thënë ditë më parë, në një takim me gazetarë, që nëse do të ketë marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, në takimin që është mbajtur në Ohër, më 18 mars, diçka e tillë mund të çonte në pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet në veri.

Në takimin e Ohrit, kryeministri  Kurti dhe presidenti  Vuçiq, janë pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, të mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Ajo kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti ka thënë – pas arritjes së marrëveshjes – se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.