Foto: REL/EPA-EFE

Pas sulmit me makinë në Mynih, vdesin një grua dhe vajza e saj

Një nënë, 37 vjeç, dhe vajza e saj dyvjeçare kanë vdekur nga plagët e marra në sulmin me makinë të së enjtes në qytetin gjerman të Mynihut, thotë policia.

Të paktën 37 persona u plagosën pasi një makinë u përplas me një turmë njerëzish në një tubim sindikal.

Shoferi ishte një azilkërkues afgan 24-vjeçar, tha policia, i identifikuar në mediat lokale si Farhad N. Ai u arrestua në vendngjarje dhe prokurorët thonë se ai ka pranuar se ka kryer sulmin. Ai dukej se kishte një motiv fetar, thanë zyrtarët.

Nëna dhe fëmija ishin mes atyre që u dërguan në spital me plagë të rënda pas sulmit.

“Fatkeqësisht, ne duhet të konfirmojmë vdekjen sot të fëmijës 2-vjeçar dhe nënës së saj 37-vjeçare”, tha zëdhënësi i policisë Ludwig Waldinger për agjencinë e lajmeve AFP të shtunën, transmeton BBC.

Përplasja e makinës ka rikthyer në fokus çështjet e sigurisë një javë përpara mbajtjes së zgjedhjeve federale në Gjermani.

Një seri sulmesh janë kryer në Mynih nga emigrantë, ku dy nga sulmuesit e dyshuar kanë ardhur nga Afganistani.

Sulmi ndodhi gjithashtu në prag të Konferencës së Sigurisë në Mynih, e cila filloi të premten.

Me të mbërritur në qytet të premten, nënpresidenti i SHBA, JD Vance shprehu ngushëllimet e tij për viktimat në sulm.

Autoritetet gjermane kanë thënë se i dyshuari mbërriti në vend në vitin 2016 dhe megjithëse kërkesa e tij për azil u refuzua, u lejua të qëndronte në Gjermani pasi ai përballej me rrezikun e deportimit në Afganistan. Ai kishte një leje qëndrimi dhe pune të vlefshme.

Ai nuk kishte precedentë të mëparshëm penalë dhe policia tha se nuk kishte prova për një lidhje me një grup xhihadist. Ai gjithashtu duket se ka vepruar i vetëm, thotë policia.

Të premten, policia tha se i dyshuari u tha oficerëve gjatë marrjes në pyetje se ai kishte drejtuar makinën e tij ‘Mini Cooper’ qëllimisht në turmë.

Prokurori publik i Mynihut, Gabriele Tilmann u tha gazetarëve se i dyshuari kishte thënë “Allahu Akbar”, ‘Zoti është më i madhi’ në arabisht, kur u arrestua. Ajo sugjeroi se ai “mund të ketë pasur një motivim islamist”.

Fushata rreth zgjedhjeve të Gjermanisë më 23 shkurt është përfshirë në një debat të zjarrtë për migracionin prej javësh. Votimi u soll nga kolapsi i qeverisë së koalicionit të kancelarit gjerman Olaf Scholz vitin e kaluar.

Një numër incidentesh të dhunshme të lidhura me emigrantët gjatë vitit të kaluar kanë çuar në rritjen e mbështetjes për partinë e ekstremit të djathtë AfD.

Në dhjetor, gjashtë persona u vranë dhe të paktën 299 u plagosën pasi një burrë futi një makinë në një treg gjerman të krishtlindjeve .

I dyshuari ishte një azilkërkues saudit 50-vjeçar, i cili kishte qenë një kritik i hapur i Islamit.

Dhe në janar një fëmijë dy vjeçar dhe një kalimtar që u përpoqën të ndihmonin u vranë pasi një grup fëmijësh u goditën me thikë në një park në qytetin bavarez të Aschaffenburg, në një sulm që tronditi vendin.

I dyshuari është një azilkërkues 28-vjeçar afgan.