Pas sulmit Gazmend Muhaxheri tregon për gjendjen e tij
“Jam shëndosh e mirë”- ka shkruar Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri pak orë pas një sulmi të cilin e pati nga dy persona të dyshuar.
Në rrjetin e tij social Facebook, Muhaxheri ka reaguar se tashmë është në mes të miqve të tij si dhe është mirë me shëndet.
“I rrethuar mes miqve. Pas sulmit te befasishëm, jam shëndoshë e mirë. Ju falënderoj të gjithëve për interesimin”- ka shkruar Muhaxheri deri sa në fotografi shihet në shoqëri të disa personave.
Lumir Abdixhiku, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka reaguar pas sulmit i cili ka ndodhur mëngjesin e sotëm ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxherit.
“Gaz Muhaxherin as s’mund ta ndalin e as s’mund ta frikësojnë. Është i gatuar ndryshe ky burrë! Organet e drejtësisë të japin rezultate të shpejta e të mbajnë përgjegjës ata që me argumentin e dhunës e urrejtjes provojnë të ndalin një udhëheqës e njeri të lirë”- ka shkruar Abdixhiku në një postim në rrjetin social Facebook.
KALLXO.com raportoi se Muhaxheri sipas policisë ka marrë lëndime trupore pas sulmit i cili u regjistrua në orët e mëngjesit të sotëm.
Muhaxhiri sipas informacioneve që posedon KALLXO.com dyshohet se u sulmuar fizikisht deri sa po dilte nga një lokal në Pejë.
Në anën tjetër Policia në Pejë ka thënë se kryetari Muhaxheri ka marrë edhe lëndime trupore.
“Sot rreth orës 08:50, në rrugën Bill Klinton, është sulmuar nga dy persona të dyshuar Kryetari i Komunës së Pejës i cili ka pësuar lëndime trupore, të dyshuarit janë arrestuar. Me urdhër të Prokurorit te shtetit te dyshuarit ndalohen për 48-ore”, ka thënë Driton Rugova nga Policia në Pejë.
Shkodran Nikçi nga Prokuroria në Pejë i ka thënë KALLXO.com se tashmë janë duke u ndërmarrë gjitha veprimet për të zbardhur situatën ndërsa prokurori ka marrë vendim qe te dyshuarit të dërgohen në mbajtje.