rruga B, Prishtinë

Pas shumë vonesave Prishtina fut në plan realizimi ‘rrugën A’ dhe kolektorin në ‘Kalabri’

Në vitin 2019 ka qenë në plan të filloj ndërtimi i ‘rrugës A’, e cila do lidhte Lagjen e Spitalit, ‘Kalabrinë’ dhe ‘Matin 2’, por e gjitha kjo procedurë ishte shtyrë edhe për shkak të ndryshimit të qeverive dhe çështjeve pronësore.

Kurse, para disa ditësh Komuna ka futur në plan paraprak të prokurimit projektin për ‘ndërtimin e rrugës A dhe kolektorin për ujëra të zeza’.

‘Rruga A’ në bazë të deklarimeve të mëhershme të komunës do shtrihet nga ‘Mati 2’ deri në lagjen ‘Kalabria’, këtu do ketë lidhje edhe me lagjen e Spitalit.

Bashkë me rrugën pritet të ndërtohet edhe kolektori i ujërave të zeza në lagjen ‘Kalabria’ projekt ky i lënë në gjysmë për shkak të çështjeve të pazgjidhura pronësore nga ana e Komunës.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, në fund të vitit 2020 në një debat televiziv ka deklaruar se problemi pronësor në lagjen ‘Kalabria’ është zgjidhur dhe pritet vetëm të fillojë projekti i cili do mund të marrë kohë deri në 18 muaj.

“Është kaluar plani rregullativ në ‘Kalabri’, ndryshimin e një pjese të vogël, që më herët nuk kemi mundur të marrim tokën për shpronësim për kanalizim, kurse tash e kemi përfunduar dhe besoj që kolektori në këtë lagje do përfundoj në vitin 2021”, ka thënë Ahmeti.

Përpos rrugës, në projekt janë të përfshira edhe shtigjet e çiklizmit.

Kjo rrugë pritet të ketë kosto deri në 10 milionë euro, e cila do bëhet në bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zyrtar nga zyra për informim e kësaj ministrie, kanë thënë se do financojnë projektin me 6.8 milionë euro, kurse projektimi i rrugës i takon komunës.

“Ministria e Infrastrukturës, përmes Memorandumit të Bashkëpunimit, është vetëm financuese e ndërtimit të rrugës A, me një buxhet të paraparë prej 6 milionë e 800 mijë eurove. Projektimi dhe të gjitha procedurat e tjera, i takojnë komunës së Prishtinës”, thuhet nga Ministria e Infrastrukturës.

Ndërsa në njoftimin paraprak për kontratë të zyrës së prokurimit në komunën  e Prishtinës janë paraparë 1.1 milion euro për këtë rrugë.

Fillimi i procedurave për këtë kontratë pritet të bëhet nga data 03 prill 2021

Projekti për këtë rrugë konsiderohet si ndër më të mëdhenjtë në planin për investime kapitale të komunës për vitin 2021.

KALLXO.com ka  kërkuar detaje të projektimit të kësaj rrugë nga Komuna e Prishtinës, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje deri në momentin e publikimit.