Teatri Kombëtar i Kosovës - Foto: Atdhe Mulla

Pas shkrimit të KALLXO.com, ministria përmirëson gabimin në konkurs

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) e ka përmirësuar gabimin në konkursin për udhëheqës artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, pas raportimit të Kallxo.com.

Kallxo.com raportoi javën e kaluar se MKRS kishte lëshuar një gabim në konkursin për udhëheqësin artistik të hapur më 05. 03. 2021, duke lënë në njoftimin edhe emërtimin “drejtor artistik”.

Konkursi për këtë pozitë u hap pak ditë pas anulimit të konkursit për drejtor artistik të këtij teatri.

Anulimi i konkursit ishte bërë për shkak të emërtimit, pasi ligji për teatrot dhe statuti i Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk e njeh emërtimin “drejtor artistik”, por “udhëheqës artistik”.

Megjithatë, përsëri MKRS bëri një gabim në njoftimin e 05. 03. 2021, pasi në pjesën e dytë të njoftimit për konkursin, në vend të emërtimin “udhëheqës artistik” figuronte emërtimi “drejtor artistik”.

Por, në njoftimin e ri për konkursin për udhëheqës artistik, MKRS ka përmirësuar gabimin.