Pas shkresave të KALLXO.com, AUV gjobit dy universitete me nga 500 euro për shkelje të rregullave anti-COVID

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka gjobitur dy universitete publike në Kosovë për mosrespektim dhe shkelje të vendimeve të Qeverisë së Kosovës, të cilat janë marrë me qëllim të mbrojtjes dhe parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Këto inspektime janë kryer nga AUV pas shkresave që KALLXO.com ka dërguar në adresë të tyre, së bashku me gjetjet nga monitorimet e universiteteve publike.

Këtë e ka konfirmuar edhe nga kryeinspektori sanitar, Ibrahim Tërshnjaku.

Përveç dy universiteteve, AUV ka gjobitur edhe tre persona fizik të cilët kanë shkelur këto masa.

“Pas ankesës së marrë nga BIRN Kosova, Inspektorati sanitar ka kryer inspektimet me prioritet lidhur me zbatimin e masave anti-COVID në këto institucione. Nga Inspektimet e kryera në të gjitha universitet publike dhe private kemi shqiptuar dy gjoba persona juridik për dy universitete me nga 500 euro dhe tre për persona fizik për moszbatim të masave anti-COVID. Inspektimi ka vazhduar edhe sipas ankesave dhe planit për kontrollet zyrtare”, thuhet në përgjigjen e AUV për KALLXO.com.

KALLXO.com ka dërguar shkresa në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë gjatë muajit janar dhe shkurt përmes të cilave ka dhënë informacione për mosrespektimin e Ligjit për Pandeminë dhe masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës nga universitetet publike të Kosovës.

Këtyre shkresave i janë bashkëngjitur artikuj, fotografi e video, të cilat janë realizuar gjatë monitorimeve që KALLXO.com ka bërë që nga muaji nëntor i vitit 2020 nëpër shtatë universitetet publike të Kosovës.

AUV nuk ka treguar se cilat janë universitetet e gjobitura duke thënë se është në kundërshtim me rregulloren.

Që nga muaji nëntor i vitit 2020, KALLXO.com ka monitoruar respektimin e masave anti-COVID nëpër shtatë universitetet publike të Kosovës. Çdo muaj, mesatarisht janë realizuar mbi 20 monitorime nëpër fakultete të ndryshme të universiteteve publike.

Gjatë kësaj kohe, monitoruesit e KALLXO.com kanë vërejtur se disa nga masat e përcaktuara me vendimet e Qeverisë dhe “Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19” nuk janë respektuar nëpër fakultetet e universiteteve publike në Kosovë.

Në fillim të vitit akademik 2020/2021, universitetet publike kanë ngecur në vendosjen e dezinfektuesve të cilat mund të shfrytëzoheshin nga studentët, por kjo gjë kohëve të fundit sipas gjetjeve nga monitorimet është adresuar. Disa prej universiteteve nuk kanë pasur të vendosur as posterë informativë për COVID-19, siç është e përcaktuar “Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19”.

Monitoruesit e KALLXO.com gjatë këtyre muajve kanë gjetur edhe grumbuj të studentëve pa maska dhe pa distancë brenda hapësirave të universiteteve publike. Disa prej tyre kanë pasur mungesë të sapunit dhe letrave higjienike.

Sipas institucioneve shëndetësore, COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit 2019. Po ashtu sipas institucioneve bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.

Qeveria e Kosovës me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19, në vazhdimësi ka marrë vendime me anë të të cilave i obligon të gjithë përgjegjësit e institucioneve publike, ndërmarrjeve private dhe të çfarëdo subjekti tjetër, të ndërmarrin masa të rrepta për parandalimin e përhapjes së infeksionit brenda institucioneve të tyre, në respektim të plotë të të gjitha masave të nevojshme në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19”.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.