Logo e NP KRU" Prishtina"

Pas shkarkimit, flet sekretari i Ujësjellësit ‘Prishtina’

Salih Gjonbalaj është shkarkuar gjatë ditës së sotme nga pozita e sekretarit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtina’.

Shkarkimin e Gjonbalajt e ka bërë bordi i përkohshëm i drejtorëve të kësaj kompanie nën arsyetimin se ai kishte bërë gabime në konkursin e shpallur për zyrtar financiar si dhe se nuk i kishte trajtuar drejt dhe në mënyrë të barabartë përmbaruesit.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Gjonbalajn në lidhje me akuzat që i janë vënë nga ana e Bordit të Drejtorëve.

Ai madje thotë se arsyet e shkarkimit janë jo relevante.

“Së pari sa i përket konkursit, është e vërtetë që unë e kam përgatitur draftin duke u bazuar në Ligjin mbi Ndërmarrjet Publike, Kodin e Etikës dhe Qeverisjes Korporative, Statutit të Kompanisë, ku këtë konkurs para publikimit të tij kanë qenë të njoftuar dhe u kam përcjellë përmes postës elektronike Drejtorëve të Bordit të përkohshëm për ta shikuar dhe ata nuk kanë pasur anjë vërejtje, sa i takon kushteve të cekura për pozitat në fjalë e i cili konkurs ka qenë në harmoni të plotë me Ligjin e Ndërmarrjeve Publike”, tha Gjonbalaj për KALLXO.com.

Tutje ai shtoi se vërejtjet e dhëna nga ana e bordit janë përdorur si alibi për të akuzuar për mos-kryerje të detyrave në mënyrë profesionale.

“Megjithëkëtë a është arsye për të ardhur deri në shkarkimin tim nga pozita, ku siç e përmendja më lart Bordi i Përkohshëm ka qenë i njoftuar me versionin final të konkursit para publikimit nga kompania”, shtoi ai.

Ai madje dha arsyetimin e tij edhe për akuzat se i njëjti nuk i ka trajtuar në mënyrë të drejtë dhe profesionale përmbaruesit.

“Pika e dytë kinse kam favorizuar përmbaruesit, unë gjatë kryerjes së punës time me çështjen e përmbarimeve nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta dhe i konsideroj shpifje të llojit të vet për të cilin, drejtorët e Bordit nuk e kanë asnjë provë apo argument nëse unë kam favorizuar ndonjë përmbarues”, shton Gjonbalaj për KALLXO.com.

Gjithashtu ai tregon edhe se çështja e përmbaruesve ka funksionuar në bazë të ligjit për çështjen e përmbaruesve privatë.

“Konsideroj se shkarkimi im nuk lidhet me punën ose mospunën time sepse së pari asnjë veprim lidhur me vlerësimin e performancës sime gjatë zhvillimit të punës time nuk kanë bërë por ky është një veprim i tyre i vazhdueshëm që të largojnë njerëz të pakorruptuar dhe me një bagazh dhe përvojë të gjatë profesionale të mirëfilltë e që kjo këtij bordi i ka penguar për të realizuar qëllimet e tyre siç i kanë nisur”, shtoi ai.

Ai gjithashtu thotë se do të dëshironte që Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të KRU ‘Prishtina’ t’i dëshmojë akuzat e ngritura ndaj tij.

“Sa i përket argumenteve dhe fakteve ka mjaftë. Janë dy raporte nga ZKA ku gjithashtu flasin qartë dhe raportet e auditorit të brendshëm. Mbi raportet e Auditorit të Brendshëm ka folur edhe z.Kurti dhe pas një muaji e shkarkuan edhe auditorin”, theksoi ai.

Gjonbalaj tha se ka dokumente të mjaftueshme që dëshmojnë të kundërtën e akuzave që ka ngritur bordi i drejtorëve të KRU ‘Prishtina’.

“Për të gjitha këto do të drejtohem në gjykata për të vërtetuar të vërtetën e këtij sllogani të tyre siç e quajn ata ndaljen e ‘gjakderdhjes financiare’, sepse krejt kjo është e lidhur politikisht e jo si rezultat i mos përfilljes së punës time në bazë të kushteve ligjore”, tha Gjonbalaj për KALLXO.com.

Gjatë ditës KALLXO.com ka raportuar në lidhje me shkarkimin e sekretarit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtina’.

Arsyet e shkarkimit për KALLXO.com i ka thënë Drejtori i Bordit të Përkohshëm të kësaj kompanie, Mentor Hyseni.

KALLXO.com gjithashtu ka raportuar edhe për shkarkimin e Kryeshefit Ekzekutiv, Zyrtarit të Lartë Financiar dhe Zyrtarit për Auditim të Brendshëm të KRU ‘Prishtina’.

Gjithashtu KALLXO.com ka raportuar edhe se gjatë kësaj jave sipas Drejtorit të Bordit të Përkohshëm Mentor Hysenit, do të shpallet konkursi për tri pozitat kryesore të KRU ‘Prishtina’.

Shkarkohet sekretari i KRU ‘Prishtina’, drejtori i bordit jep detaje