Pas SHBA-së, Sali Berishës i ndalohet hyrja edhe në Britani të Madhe

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka pohuar sot para mediave, se emri i tij është në listën e personave të sanksionuar një ditë më parë nga Qeveria britanike.

Berisha lexoi letrën e marrë nga sekretari i brendshëm britanik, i cili i ndalon atij hyrjen në Britani të Madhe ndërsa zbuloi edhe arsyet e këtij vendimi.
“Disa orë pasi Edi Rama dha lajmin për vendimin që do të merrte qeveria e Mbreteria e Bashkuar, jam njoftuar me një letër se, Home Secretary ka marrë vendimin për moslejimin e hyrjes sime në Britani të Madhe” tha Berisha para mediave.

“Ndonëse, ashtu si thotë ky vendim, është konfidencial dhe, ndonëse përfaqësuesit e MB në Tiranë kane deklaruar se nuk do të publikojne emrat, unë kam marrë vendimin t’a bëj publik për qytetarët shqiptarë, para të cilëve unë kam qenë gjithnjë i vërtetë, me të mirat dhe gabimet, kam luftuar gjithnjë në mbrojtje të interesit të tyre, ashtu siç e kam vlerësuar unë”, vazhdoi ai.

Në maj të vitit 2021, Departamenti i Shtetit i SHBA-së u ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të gjerë

Në deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, thuhej se Berisha, në cilësinë e tij zyrtare, në veçanti si kryeministër i Shqipërisë, ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike.

Sipas, DASH-it, ish-kryeministri shqiptar, ka përdorur pushtetin e tij për përfitimet dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij./TCH