Milan Radoiciç (djathtas) dhe Zvonko Veselinoviç (në mes) me shokun e ngushtë të presidentit serb Aleksandër Vuçiq Nikola Petroviq (i pari nga e majta). Foto: BIRN.

Pas SHBA-së edhe Britania e Madhe sanksionon Millan Radoiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin

Britania e Madhe ka sanksionuar 30 figura politike të përfshira në korrupsion, shkelës të të drejtave të njeriut dhe autorë të dhunës seksuale.

Në mesin e personave të sanksionuar janë edhe nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojiçiq dhe Zvonko Veselinoviq.

raport thuhet se Millan Radoiçiq, biznesmen i industrisë së ndërtimit dhe nënkryetar i Listës Serbe “ka përfituar nga shpërdorimi i kontratave shtetërore dhe ka përdorur ndikimin e tij për t’i dhënë kompanive të tij të ndërtimit kontrata fitimprurëse”.

Derisa, për Zvonko Veselinoviqin po ashtu biznesmen i industrisë së ndërtimit thuhet se në Kosovë ka përdorur kontrata publike për të përvetësuar fondet shtetërore.

Sipas këtij raportimi, të gjithë individët i nënshtrohen ngrirjes së aseteve dhe ndalesave të udhëtimit.

Sanksionimi i këtyre personave u bë në ditën që shënon Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe Ditën e të Drejtave të Njeriut.

Sekretari i Jashtëm James Cleverly tha se këto sanksione ekspozojnë personat që qëndrojnë pas shkeljeve të tmerrshme të të drejtave themelore.

“Është detyra jonë të promovojmë shoqëri të lira dhe të hapura në mbarë botën. Sot sanksionet shkojnë më tej për t’i ekspozuar ata që qëndrojnë pas shkeljeve të tmerrshme të të drejtave tona më themelore. Ne jemi të përkushtuar të përdorim çdo levë që kemi në dispozicion për të siguruar një të ardhme lirie mbi frikën”- tha ai.

Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq në vitin 2021 janë vënë po ashtu në listën e sanksioneve  të Departmanetit të Thesarit të SHBA-së.

Departamenti i Thesarit i akuzon se kanë bërë marrëveshje me politikanët për t’i ndihmuar partitë e tyre që t’i fitojnë zgjedhjet dhe se u kanë dhënë para kandidatëve.

Në këmbim, politikanët u kanë dhënë vëllezërve Veselinoviq kontratat më të mira të infrastrukturës, informacione mbi pronësinë për t’i mbështetur investimet e tyre dhe kontroll mbi fusha të caktuara të biznesit të tyre, njoftoi Departamenti i Thesarit.

Lidhur me veprimtarinë e Radoiçiqit dhe Veselinoviqit, të sanksionuar nga SHBA dhe tashmë edhe nga Britania e Madhe, gazetarët e KALLXO.com në tetor të vitit 2022 fituan çmimin e parë të Bashkimit Evropian për gazetari hulumtuese për vitin 2021.

Çmimi iu nda gazetarëve Kreshnik Gashi, Visar Prebreza e Behar Mustafa për një seri hulumtimesh të publikuara në emisionin “Kallxo Përnime”. Seria e hulumtimeve mbi rrjedhën e parave dhe pasojat e korrupsionit, e publikuar në kuadër të emisionit “Kallxo Përnime” ka treguar pasojat e gjata të korrupsionit dhe shpëlarjes së parave në Kosovë.

Hulumtimi “Dosja e Veriut”, që tregon lidhjet e kompanisë së futur në listën e zezë, tenderëve të fituar në Kosovë dhe ndërtimeve të larta në Ulqin, është njëri nga hulumtimet model të “ndjekjes së parave”, pra nga fitimi i dyshimtë i tyre e deri tek investimi në një shtet tjetër: pastrimi i tyre.

Hulumtimi, i cili nis nga një sinjalizues i thjeshtë, zbardh rrjedhën e parave të fituara nga tenderët e fituar në mënyrë të dyshimtë nga komunat dhe Qeveria e Serbisë dhe biznesi i kontrabandës në veriun e Kosovës e deri tek investime të pastra  në Ulqin. Hulumtimi televiziv zbardh skemën e bashkëpunimit të bizneseve, se si bizneset në pronësi të personave që janë futur në listën e zezë të SHBA-së fitojnë tender, por edhe lidhjet e tyre me bizneset me pronarë shqiptarë që kryesisht merren me realizimin e punëve në tender. Hulumtimi nuk ndalet aty por gjurmon më thellë dhe zbulon se pronarët e biznesit që kryen pjesën më të madhe të punëve në kontratat publikë në veriun e Kosovës ka lidhje me njerëzit e politikës, dhe ndër akterët kryesor del Idriz Thaçi, vëllai i ish-presidentit Hashim Thaçi.