Selia e OBSH-së në - Gjenevë

Pas SHBA-së, edhe Argjentina tërhiqet nga OBSH-ja

Presidenti argjentinas ka urdhëruar tërheqjen e vendit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për shkak të “dallimeve thelbësore” me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara – ka konfirmuar të mërkurën, sipas kohës lokale amerikane, një zëdhënës i Presidencës – raporton Agjencia amerikane e lajmeve AP.

Vendimi i presidentit Javier Milei vjen pasi aleati i tij presidenti Donald Trump nisi procesin për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga OBSH-ja, me një Urdhër Ekzekutiv në ditën e tij të parë në krye të detyrës më 21 janar.

Tërheqja e një tjetër anëtari do të shkaktojë përçarje më të mëdha në shëndetin botëror, megjithëse Argjentina pritej të ofronte vetëm tetë milionë dollarë amerikanë për OBSH-në, e cila ka një buxhet prej rreth 6.9 miliard dollarë gjatë viteve 2024-2025.

Vendimi i Argjentinës është bazuar në “dallimet e thella në menaxhimin e shëndetit, sidomos gjatë pandemisë COVID-19” – ka deklaruar zëdhënësi Manuel Adorni, në një Konferencë për media në Buenos Aires. Ai ka thënë se doracakët e OBSH-së atëherë rezultuan me mbylljen më të madhe në “historinë e njerëzimit”.

Argjentina nuk do të lejojë Organizatën ndërkombëtare që të ndërhyjë në sovranitetin e saj “e aq më pak në shëndetin tonë.” – ka shtuar ai.

OBSH-ja nuk ka autoritet për t’i detyruar vendet që të ndërmarrin veprime konkrete në shëndetësi dhe doracakët dhe rekomandimet e OBSH-së – përfshirë krizat e shëndetit si COVID-19 – shpesh nuk merren fare parasysh.

OBSH-ja ka bërë të bërë të ditur se po shqyrton njoftimin e Argjentinës.

Zëdhënësi nuk ka treguar se kur do të nisë zbatimi i presidentit Milei, i cili ka qenë kritik i ashpër i mbylljes në pandemi, në koordinim me OBSH-në. Milei kishte thënë se OBSH-ja nuk kishte pavarësi për shkak të ndikimit politik të disa vendeve, por nuk ka përmendur emra.

OBSH-ja është organizata e vetme e mandatuar në botë për koordinim të reagimeve botërore ndaj krizave akute të shëndetit, sidomos pas shpërthimit të sëmundjeve dhe kërcënimeve të vazhdueshme – përfshirë Ebolan, SAIDA-n dhe linë e majmunëve.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com