Pas rritjes së rasteve të reja me COVID-19, ministri Latifi apelon për vaksinim

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifi, ka apeluar te qytetarët që të marrin dozat përforcuese të vaksinës pasi ditëve të fundit ka pasur rritje të rasteve me COVID-19.

Latifi gjithashtu ka kërkuar që të gjithë personat e pavaksinuar të shfrytëzojnë mundësitë e para për vaksinim.

“Kosova, falë angazhimit të institucioneve tona dhe përkrahjes së miqve tanë, ka vaksina të mjaftueshme për çdo qytetar që është apo që mund të vjen këtu. Për të gjitha moshat dhe kategoritë e popullatës. Por, kemi nevojë që thirrjes për vaksinim t’i përgjigjeni me përgjegjësi. Me përuljen më të madhe, ju lus që për shëndetin tuaj dhe shëndetin tonë të përgjithshëm, të vaksinoheni, me dozën e radhës të vaksinës kundër COVID-19, në mundësinë e parë”, ka shkruar Latifi.

Tutje në apel, Latifi ka kërkuar nga mërgimtarët që të shfrytëzojnë mundësitë e vaksinimit në vendet ku jetojnë para se të vijnë në pushimet e tyre në Kosovë.

“Ju lusim që t’i shfrytëzoni mundësitë e ofruara në vendet prej nga vini dhe të vaksinoheni. Nëse se keni bërë këtë, do t’u ofrojmë çdo mundësi që vaksinën te merrni në Kosovë, për të pasur pushime të rehatshme e të shëndetshme”, ka vazhduar apeli i Latifit.

Deri më sot janë dhënë afër 2 milionë vaksina kundër COVID-19 kurse vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 149 raste të reja pozitive.