Pas rritjes së pagave nga Qeveria, reagon Abdixhiku: Me qeverisjen time koeficienti i pagave do të bëhet 150 euro
Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas njoftimit të Qeverisë së Kosovës për rritje të pagave në sektorin publik nga janari i vitit 2025.
Abdixhiku ka ripërsëritur se qysh në javën e parë të qeverisjes së tij koeficienti i pagave do të bëhet 150 euro.
“Po e përsëris, që në javën e parë të qeverisjes sime, koeficienti i pagave do të bëhet 150 euro! Ndryshimi po vjen”- ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një konference për media të mbajtur më 29.10.2024, njoftoi se kanë rritur koeficientin e pagave për një njësi.
Ai tha se vlera e koeficientit do të mbetet e njëjtë 110 euro, por do të rritet njësia e koeficientit.
“Të gjithë të punësuarve në sektorin publik, pagat do t’u rriten për 55 euro nga janari, dhe për 110 euro nga muaji korrik i vitit të ardhshëm- 2025. Kemi vendosur të mos e rrisim vlerën e koeficientit, por koeficientin për një njësi. Vlera e një koeficienti mbetet 110 euro, por rritet sasia e koeficienteve për 1 njësi. Duke filluar nga janari 2025 për gjysmë njësie dhe pastaj nga korriku i vitit të ardhshëm gjysma tjetër”- ka thënë Kurti.
Rritje të pagave ka premtuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përderisa PDK-ja ende nuk ka dal me ndonjë propozim konkret.
Qeveria rrit pagat për punëtorët e sektorit publik nga janari 2025