Pas rekomandimit të BIRN-it, 20 kandidatë eliminohen nga gara për borde të ndërmarrjeve

Zyra e Kryeministrit i ka eliminuar nga gara të gjithë kandidatët që kanë qenë në politikë në 36 muajt e fundit dhe që bien kundërshtim me kërkesën e Ligjit për Ndërmarrjet Publike për pavarësi.

Largimi i tyre nga lista është bërë pasi Zyra e Kryeministrit ka filluar të zbatojë rekomandimin e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) për verifikimin e listës së ngushtë të kandidatëve mbi pavarësinë e tyre para se të intervistohen.

Është kërkuar që të kërkohen informacione nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga Thesari i Shtetit për secilin kandidatë për anëtarë të bordeve.

Nga KQZ-ja është kërkuar informacione nëse kandidatët për anëtarë të bordeve kanë qenë kandidatë në zgjedhjet lokale apo qendrore. Kurse, Thesari i Shtetit ka ofruar informacione nëse kandidatët kanë mbajtë poste politike nëpër institucione.

Në një përgjigje për kërkesën e BIRN, Zyra e Kryeministrit të Kosovës është zotuar që do të kërkojë nga të gjitha komisionet vlerësuese që t’i zbatojnë rekomandimet e BIRN në të gjitha proceset për zgjedhjen e bordeve.

“Në emër të Sekretarit ju njoftoj se rekomandimet tuaja janë të mirëseardhura si kontribut i shtuar në këtë proces dhe nga të gjitha Komisionet do të kërkohet që do t’i  zbatojnë rekomandimet në proceset e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordeve të Ndërmarrjeve Publike”, thuhet në përgjigjen e ZKM-së duke iu referuar rekomandimeve të BIRN-it.

Pas përgjigjeve të pranuara nga këto dy institucione nga gara janë eliminuar 20 kandidatë nga gara për tu bërë anëtarë të bordeve.

Fillimisht, Komisioni Vlerësues për bordin e KEK-u ka kërkuar nga Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve informata për secilin/ën kandidat/e që i ka plotësuar kushtet për t’u thirrur në intervistë, nëse i njëjti/njëjta ka qenë kandidat/e në zgjedhje lokale apo qendrore në 36 muajt e fundit për të parë nëse kandidimi i tij/saj është në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Përveç që të kërkohen informata për secilin kandidat nga Sekretariati i KQZ-së për të parë nëse kandidatët për borde të ndërmarrjeve publike kanë qenë kandidatët në zgjedhjet lokale apo qendrore, BIRN ka rekomanduar që të kërkojnë informata edhe nga Thesari i Shtetit (MF) dhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike nëse kandidatët për borde kanë mbajtur pozita politike nëpër institucionet ekzekutive, të cilët nuk kanë shkuar përmes zgjedhjeve por janë me emërim.

“Kërkojmë nga Zyra e Kryeministrit që këtë praktikë ta nisë së zbatuari menjëherë për të gjitha konkurset për borde të ndërmarrjeve publike që janë në proces”, thuhet në rekomandimet e BIRN drejtuar ZKM-së.

Përvec kësaj, BIRN kishte kërkuar se kjo praktikë të aplikohet edhe për konkurset tjera për borde të ndërmarrjeve publike, rekomandim që është pranuar nga Zyra e Kryeministrit.

Disa prej konkurset janë duke u zhvilluar me asistencën e BDO-së, kompanisë britanike të angazhuar nga Ambasada e Britanisë për të ofruar asistencë institucioneve të Kosovës në rekrutim të pozitave të larta drejtuese.

BIRN është duke i monitoruar të gjitha konkurset e hapura për borde të ndërmarrjeve publike.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar në lidhje me zgjedhjen e anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike që janë bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Ligji për Ndërmarrjet Publike thotë se zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike duhet të jenë të pavarur dhe se nuk mund të zgjidhen në ato pozita nëse në 36 muajt e fundit para aplikimit kanë qenë të emëruar politikë, zyrtarë të zgjedhur publikë apo kanë mbajtur pozita të rëndësishme në parti politike.

“Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhjet si drejtor në një ndërmarrje publike nëse: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në nenin 17, pikën 2 të Ligjit të Ndërmarrjeve Publike.

Emërimi i anëtarëve në bordet e ndërmarrjeve publike në Kosovë është një ndër proceset që vazhdimisht është kritikuar nga shoqëria civile në Kosovë, e së fundmi, edhe nga faktori ndërkombëtar.

Gjetjet nga monitorimi i BIRN nëpër proceset e rekrutimit të anëtarëvetë bordeve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë janë prezantuar në dy raporte të monitorimit, “Ndarja e kulaçit” dhe “CV apo Librezë?”, ku janë të përfshira proceset e monitoruara nga marsi i vitit 2018 deri në fund të vitit 2019. Së fundmi është publikuar edhe raporti i monitorimit të rekrutimit për vitin 2020, “Partitë e Punësimeve“.