Takimi Kurti-Vuçiq në qershor 2021, Foto: Twitter

Pas referendumit, a do të ketë takim mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut?

Bashkimi Evropian nuk ka treguar se kur pritet të mbahet takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve, pas mosmbajtjes së referendumit serb të dielën në Kosovë.

“Si gjithmonë, ne njoftojmë çdo takim të ardhshëm të dialogut nëse dhe kur është e përshtatshme”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Qeveria e Kosovës nuk lejoi votimet e serbëve lokal brenda shtetit të Kosovës, duke lejuar vetëm mundësinë e votimit me postë ose përmes zyrës ndërlidhëse.

Të shtunën Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë kundr mbajtjes së referendumit në Republikën e Kosovës.

Qytetarëve serb të Kosovës iu mundësua votimi në katër qytete në Serbi për referendumin që kishte të bënte me gjyqësorin.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian të hënën ka shprehur keqardhje për mosmbajtjen e referendumit serb në Kosovë.

Megjithëkëtë nga blloku evropian kanë theksuar se presin që të dyja palët të gjejnë modalitete që do t’u mundësojnë serbëve të votojnë në zgjedhjet e ardhshme të Serbisë.

Në Serbi në muajin prill do të mbahen zgjedhjet e parakohshme presidenciale dhe ato të përgjithshme.

“Tani do të presim që palët të fillojnë negociatat për modalitete të pajtueshme reciproke, të cilat do t’i lejojnë serbët të votojnë në zgjedhjet e ardhshme serbe dhe ne jemi të gatshëm të lehtësojmë këto”, ka thënë të hënën zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano në një konferencë për media.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Qeverinë e Kosovës, duke kërkuar përgjigje se kur pritet të ketë takim në Bruksel dhe nëse do të lejojnë ose jo që zgjedhjet serbe të prillit të mbahen në Kosovë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.