Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pas reagimit të Kurtit dhe Ambasadës, Bordi pezullon konkursin në Postën e Kosovës

Edhe pse kanë përfunduar gati të gjitha procedurat, duke përfshirë edhe intervistimin e kandidatëve, Bordi i Përkohshëm Drejtorëve i Ndërmarrjes Publike “Posta e Kosovës” ka vendosur që ta pezullojë konkursin për zgjedhjen e pozitave të larta në këtë ndërmarrje.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar kryesuesi i Bordit të Përkohshëm i “Postës së Kosovës”, Leonard Shabanaj.

Ai ka thënë se deri te pezullimi i konkursit ka ardhur pas reagimeve të kandidatit për kryeministër, Albin Kurti dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe.

“Bazuar në kompetencat ligjore si bord kemi shpallë konkurs për Kryeshef Ekezekutiv dhe Zyrtarët e Lartë në dakordim të plotë edhe me aksionarin. Me qëllim që të mos krijohen keqkuptime dhe keqinterpretime meqë kemi të bëjmë edhe me procedurën e transformimit të qeverisjes pezullohet procedura e përzgjedhjes së zyrtarëve të lartë. Kur dihet se patëm thirrje edhe nga Kryeministri në ardhje dhe ambasada angleze që të pezullohen konkurset”, ka thënë Shabanaj.

Kryesuesi i bordit tha se pezullimi nuk ka të bëjë me pengesat ligjore që mund ta kenë përcjellur procedurën e konkursit publik, por sepse nuk kanë dashur që të “krijojnë preceptime të gabuara në publik”.

“Pezullimi nuk ka të bëjë me pengesë ligjore sepse në raport me ligjin kemi të drejtë me vazhdu por dua të ruajmë etikën dhe profesionalizimin si bord dhe mos të krijojmë perceptime të gabuara lidhur me këtë procedurë rekrutimi. Procesi i vlerësimit ka përfunduar dhe mbetet në diskrecionin e bordit qe vjen pas nesh vazhdimi i procedurës apo rishpallja e konkurseve”, thuhet në përgjigjen e Leonard Shabanajt për KALLXO.com.

Më 3 mars, Bordi i Përkohshëm i “Postës së Kosovës” në formë të kundërligjshme zgjodhi Kryeshef të ndërmarrjes Xhevdet Smakiqin, një person me të kaluar politike.

Pas zgjedhjes së Smakiqit në krye të “Postës së Kosovës” kishte reaguar kandidati për kryeministër, Albin Kurti. Ai kishte kërkuar që mos të vazhdohet me procedurat e rekrutimit deri në formimin e institucioneve të reja.

Një reagim e bëri edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë lidhur me emërimet në ndërmarrjet publike ende pa u formuar institucionet

Kurti: Secili emërim do të anulohet që në javën e parë të qeverisjes

www.kallxo.com