Pas reagimit të KOSID, Nitaj kërkon respektimin e procedurave për tenderin 2 milionësh

Ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj ka kërkuar nga Agjencia për Efiçiencë të Energjisë t’i ndjekë të gjitha procedurat e rregullta për një tender të cilin e hapi ditë më parë.

Sipas dosjes së tenderit, është planifikuar që për këtë tender të shpenzohen 2 milionë e 375 mijë e 294 euro.

Tenderi është hapur dje dhe operatorët e interesuar mund të dërgojnë ofertat e tyre deri më datën 26 mars të këtij viti.

Por, ministri në detyrë, Muharrem Nitaj, ka kërkuar që për tenderin i cili planifikon investime për ndriçim publik në 23 komuna të vendit, të bëhet sipas procedurave të rregullta e jo sic ka filluar, me procedura të përshpejtuara.

“Agjencia për Efiçiencë të Energjisë ka hapur tender për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë për ndriçimin publik në 23 komuna dhe kjo me procedurë të përshpejtuar”, thuhet në reagimin e Nitajt.

“Megjithese në arsyetimin e Njesisë kërkuese thuhet se “Hapja e tenderit është bërë me afat të shkurtuar të dorëzimit të ofertave, meqenëse projekti në fjalë do të jetë bashkëfinancim me komuna dhe jemi përballë pandemisë COVID-19, e ku buxheti i donatorëve të komunave do të duhet të kryhet brenda vitit fiscal”, unë si minister nuk shoh asnjë arsye valide që tenderi të hapet me aftate të përshpejtuara, prandaj kam kërkuar edhe zyrtarisht që ky proces të zhvillohet sipas procedurave të rregullta!”, thuhet tutje në reagim.

Për këtë tender sot reagoi edhe Organizata jo-qeveritare KOSID. Kjo OJQ e konsideroi të papranueshëm hapjen e këtij tenderi me procedura të përshpejtuara.

Organizata Joqeveritare KOSID ka reaguar pas vendimit të Ministrisë Mjedisit dhe Planifikimi Hapësinor, e cila ka hapur tender për ‘Zbatimi i masave të Efiçencës së Energjisë në ndriçim publik në 23 komuna’, tender me vlerë 2 milionë e 375 mijë e 294 euro.

KOSID e konsideron të papranueshëm hapjen e këtij tenderi me procedura të përshpejtuara.

“KOSID kundërshton vendimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të hapur tenderin 2.3 milionë euro për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë̈ në ndriçim publik në 23 komuna në Kosove”, thuhet në reagimin e KOSID.

Reagimi i plotë i KOSID:

Më 11 Mars – 2021, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimi Hapësinor ka hapur tender për ‘Zbatimi i masave të Efiçencës së Energjisë në ndriçim publik në 23 komuna’, tender me vlerë 2 milionë e 375 mijë e 294 euro.Ky tender do të zhvillohet me procedurë të përshpejtuar.

Por, KOSID kundërshton vendimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të hapur tenderin 2.3 milionë euro për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë̈ në ndriçim publik në 23 komuna në Kosovë.

Sipas KOSID, është̈ e patolerueshme që një̈ qeveri në largim të publikojë thirrje për një̈ tender milionësh brenda një̈ periudhe kaq të shkurtër.

Hapja e tenderëve me procedura të përshpejtuara lë hapësirë të madhe për keqpërdorime në tenderë të cilat ndikojnë jo vetëm në buxhetin, por edhe në imazhin e shtetit. Andaj, KOSID kërkon nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor anulimin e këtij tenderi.

MMPH hap tender mbi 2 milionësh me procedurë të përshpejtuar për efiçencë të energjisë në komuna

www.kallxo.com