Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim (KKMSH) - VITI

Pas rasteve pozitive me coronavirus në Viti, kërkohet kujdes i shtuar

 

Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim (KKMSH), ka njoftuar se mbrëmë nga 10 mostra të testuara, katër persona në fshatin Stubëll e Epërme e Vitisë janë diagnostifikuar me coronavirus.

“Këto raste janë të kontaktit nga një familjar i diagnostifikuar ditë më parë me COVID-19. Katër rastet e reja e kanë ngritur në 49 numrin e të infektuarve në Komunën e Vitisë, kurse 3 prej tyre janë shëruar”,  njofton Komuna e Vitisë.

Nënkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, tha se rastet janë në rritje, prandaj kërkoi nga qytetarët kujdes të shtuar.

“Sidomos në këtë kohë kur bëhet transferi i pensioneve dhe rrjedhimisht edhe rritet frekuentimi në qytet dhe nëpër filialet e bankave në qytet duhet të kemi më shumë kujdes”, citohet të ketë thënë Aliu.

Gjatë këtij takimi është folur për vazhdimin e masave për parandalimin e përhapjes së këtij virusi pandemik por edhe për sigurimin e pakove ushqimore dhe higjienike për qytetarët në nevojë.

Gjithashtu u bë me dije se edhe gjatë ditës së djeshme është bërë pastrimi, klorifikimi dhe dezinfektimi i hapësirave të ndryshme në veçanti në vendbanimet nga vijnë të infektuarit.

Komandanti i Stacionit Policor në Viti, kapiten Afrim Halili, tha se qytetarët në përgjithësi po e respektojnë orarin e qarkullimit dhe deri tani nuk ka ndonjë problem në këtë drejtim.