Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pas raportimit të KALLXO për skandalin me dënimin me 8 muaj për dhunuesin e 15 vjeçares, në Prishtinë mbahet një aksion para KGJK-së dhe KPK-së

Një vendim i Gjykatës Themelore në Pejë në korrik të këtij viti, i cili nuk i dha më shumë se 8 muaj e 8 ditë burgim një personi i cili e kishte dhunuar një vajzë 15 vjecare, ngjalli shumë reagime në Kosovë.

Sot, para Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) në Prishtinë, Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist e quajti venimin e Gjykatës së Pejës seksist, të vonuar e jo legjitim.

Liridona Sjarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist pati tri kërkesa për KGjK-në dhe KPK-në.

“Kërkesat tona specifike në këtë aksion janë: të hetohet përgjegjësia disiplinore e prokurores dhe gjyqtares të përfshira në këtë rast, të shkarkohet prokurorja dhe gjyqtarja e rastit si dhe të ofrohet transparencë e plotë mbi rastin. Këto janë kërkesat tona bazike dhe nga to nuk do të tërhiqemi”, tha Sjarina të martën para gazetarëve.

Ajo tha se do të kërkohet përgjegjësi nga personat vendimmarrës.

“Këto institucione që po I dhunojnë vajzat dhe gratë duhet të kundërshtohen fuqishëm nga të gjitha ne. ne do të kërkojmë llogari nga secili prej zyrtarëve dhe secilës zyrtare ligjore publik përgjegjës së nxjerrjes së këtij vendimi. Ne nuk do të tolerojmë që dhuna ndaj vajzave dhe grave të ushqehet, normalizohet apo amnistohet nga institucionet”, deklaroi ajo.

“Të shqetësuara dhe të revoltuara, ne mblidhemi sot pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të vazhduar te Këshilli Prokurorial i Kosovës ku po kundërshtojmë këtë vendim dhe po kundërshtojmë gjithashtu edhe dështimin shtetëror për të mbrojtur të drejtat themelore të vajzave dhe grave në Kosovë”, tha Liridona Sjarina.

 

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ajo paralajmëroi se do të vazhdohet me protesta edhe në të ardhmen.

Dënimi me 8 muaj e 8 ditë burgim për personin që dhunoi 15 vjeçaren në Gjakovë nuk mund të rritet.

Kjo pasi Prokuroria e Pejës është pajtuar me lartësinë e këtij dënimi, pasi nuk ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

 

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KALLXO.com mëson se prokurore e këtij rasti ishte prokurorja e departamentit për të mitur Lirije Morina.

Sipas aktgjykimit të cilin e ka siguruar KALLXO.com, figuron se në fjalën përfundimtare prokurorja Morina nuk ka propozuar që të merret parasysh asnjë rrethanë rënduese, përderisa ka kërkuar nga Gjykata që të ketë parasysh një mori rrethanash lehtësuese.

“Pas përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqësor, mbetëm në tërësi pranë akuzës dhe kualifikimit juridik dhe propozoj që i njëjti të shpallet fajtorë dhe të dënohet sipas ligjit. I propozoj gjykatës që me rastin e marrjes së vendimit t`i merren parasysh rrethanat lehtësuese që shkojnë në favor të të akuzuarit si, pranimi i fajësisë, koha e kryerjes së veprës penale pasi kanë kaluar gati 10 vite, rrethana se i akuzuari ka qenë madhor i ri, deklarimi i të dëmtuarës se me rastin e marrëdhënieve seksuale nuk ka pasur lëndime”, përshkruhet në aktgjykim.

Aktgjykimi me dënimin prej 8 muaj e 8 ditë tashmë ka marrë formën e prerë pasi asnjëra nga palët nuk ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Plotfuqishmërinë e këtij vendimi si rezultat i mungesës së ankesës e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.

Thellohet Skandali – Prokuroria u pajtua me dënimin 8 muajsh ndaj dhunuesit të 15 vjeçares

www.kallxo.com

Pas raportimit të KALLO.com se prokurorja e rastit Lirije Morina, nuk kishte ushtruar të drejtën e ankesës ndaj vendimit të Gjykatës për shkallën e lartësisë së dënimit, ka reaguar edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Lumezi ka kërkuar nga kryeprokurori i Pejës që t`i nisë procedurat disiplinore ndaj porkurores në fjalë.

Skandali me dënimin e përdhunuesit të 15 vjeçares, reagon Kryeprokurori i Shtetit