
Pas raportimit të KALLXO, identifikohet burri që u filmua duke ushtruar dhunë ndaj një vajze
Një video e publikuar nga KALLXO.com, ku shihej një burrë derisa ushtronte dhunë fizike ndaj një vajze në qytetin e Prizrenit, ka bërë që Policia të filloj me hetime.
Sipas Policisë personi i dyshuar është identifikuar dhe aktualisht është duke u marrë në pyetje në stacionin policor.
Po ashtu edhe vajza e cila sipas policisë është e moshës së mitur është duke u intervistuar rreth rastit.
Sipas zëdhënësit të Policisë – Prizren, Shaqir Bytyçi, i dyshuari është prindi i vajzës.
“Hetuesit i kanë identifikuar prindin edhe vajzën, e mitura është duke u intervistuar veç, ndërsa prindi veç, rasti është i hapur si rast sulmi”, tha Bytyçi për KALLXO.com.
Po ashtu, edhe nga Prokuroria e Prizrenit kanë konfirmuar për KALLXO.com se kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore rreth rastit.
“Ju njoftojmë se rasti në fjalë është duke u trajtuar nga Prokuroria Themelore në Prizren. Për rrjedhën e mëtutjeshme të rastit, do të njoftoheni me kohë”, tha Fitore Mehmeti, nga Prokuroria e Prizrenit.
Për ketë rast dje ka raportuar KALLXO.com. Në pamjet e dërguara në adresë të KALLXO.com shihet se si një burrë e rrah një vajzë në rrugë si dhe në oborrin e shtëpisë.
Rasti ka ndodhur në Prizren, në lagjen “Bajram Curri”, rruga “Rezistenca e Vërrinit”.
Në pamje shihet se si burri e godet disa herë një vajzë.
Rasti ndodh në prezencë të disa personave që gjenden në rrugë si dhe të fëmijëve që gjenden pranë shtëpisë.