Pas raportimit të KALLXO.com, zyrtarit të ATK-së i shqiptohet masë disiplinore
Gjatë muajit korrik të vitit 2019, inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) kishin zhvilluar një kontroll në një biznes në Hajvali.
Kontrolli ishte filmuar nga kameramanët e KALLXO.com në kuadër të projektit të përkrahur nga Ambasada Britanike për ngritjen e integritetit të ATK-së.
Pas kontrollit, te ky biznes ishin konstatuar disa parregullsi si mos-lëshimi i kuponëve fiskalë dhe mos-deklarimi i punëtorëve.
Pasi inspektorët kishin kryer kontrollin, gjatë kthimit për të zyrë në telefonin e inspektorit tatimor kishte telefonuar një zyrtar i ATK-së, i cili kishte kërkuar që biznesi të mos ndëshkohej.
Me të kuptuar për këtë situatë, KALLXO.com, ishte drejtuar te Standardet Profesionale në ATK me infomacion se një zyrtar i ATK-së kishte kërkuar favore për familjarin e tij.
Pas pranimit të kësaj shkrese dhe trajtimit të rastit nga Divizioni i Standardeve Profesionale, zyrtarit në fjalë i është shqiptuar një masë disiplinore.
Ketë e ka konfirmuar përmes emailit zyra e standardeve profesionale.
“DSP-ja ka shqyrtuar rastin ne fjale dhe nuk ka konstatuar ndonjë favorizim qe i është bere biznesit nga ATK-ja, inspektoret tatimore kane vepruar ne përputhje me dispozitat ligjore. Biznesi është ndëshkuar nga inspektoret tatimore dhe zyrtarit të ATK-së i është shqiptuar masa disiplinore”, thuhet në përgjigjen e DSP-së.
Ky nuk është rasti i vetëm kur Administrata Tatimore e Kosovës ka shqiptuar masë disiplinore ndaj zyrtareve të saj pas raportimit të KALLXO.com.
Muaj më parë me masë disiplinore ishte ndëshkuar edhe inspektori tatimor i cili e kishte parkuar veturën zyrtare në hapësirat gjelbëruese të Universitetit të Prishtinës në kundërshtim me rregullat e trafikut.
Pas raportimit të KALLXO.com, dënohet inspektori tatimor
KALLXO.com inkurajon qytetaret që të vazhdojnë të raportojnë me qëllim të luftimit të evazionit fiskal dhe ekonomisë jo formale.