Pas raportimit të Kallxo.com, Shaqir Totaj jep dorëheqje nga ATK

Kandidati i PDK-së për deputet Shaqir Totaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e menaxherit rajonal të ATK-së, në Prizren.

Ai ka deklaruar se po tërhiqet nga puna për tu angazhuar në politikë.

“Pas gati njezet vite pune ne post Menaxherial në ATK, tërhiqem per t’i hapur rrugë angazhimit tim të mëtutjeshem politik”, ka thënë Totaj.

Dorëheqja e tij erdhi pasi ditë më parë menaxhmenti i ATK-së, kishte kërkuar nga zyrtarët e saj që të zgjedhin mes posteve politike ose posteve në ATK.

Javë më parë KALLXO.com në kuadër të projektit për monitorimin e punës së ATK-së i kishte dërguar letra menaxhmenit të ATK-së me kërkesën për të nisur procedura disiplinore për zyrtarët e lartë të ATK-së të cilët drejtojnë degë dhe mbajnë pozita në partitë politike.

Këto shkresa zyra ligjore e BIRN, ia drejtoi zyrës së standardeve profesionale të ATK-së, e cila ka për detyrë t’i hetojë të gjithë punonjësit e ATK-së për shkeljet ligjore.

BIRN e informoi Administratën Tatimore të Kosovës se tre zyrtarë të lartë të këtij institucioni mbajnë pozita të larta në ATK, dhe janë aktivë në politikë. Dy nga ta në Lidhjen Demokratike të Kosovës ndërsa njëri në Partinë Demokratike të Kosovës.

Zëvendës Drejtori i përgjithshëm, Bashkim Shala është anëtarë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kjo pasi ai është parë në mbledhjet e degës së katërt të kësaj partie në Prishtinë.

Nga radhët e këtij subjekti është edhe drejtori i ATK-së, Jeton Mushkolaj dhe njëkohësisht është edhe kryetar i degës së LDK-së, në Deçan.

Pozitë të lartë në politikë mban edhe ish drejtori i ATK-së, tani i dorëhequr Shaqir Totaj. Ai përpos që ishte drejtor i ATK-së, në Prizren është edhe anëtar i këshillit drejtues të PDK-së si dhe kryetar i kësaj partie në komunën e Prizrenit.

Aktiv në politikë është edhe inspektori i sapo punësuar në ATK, Petrit Xani, ai është kryetar i rinisë së Nismës Socialdemokrate në Fushë Kosovë.

Aktiv në politikë është parë edhe Faruk Zekaj, ai është përkrahës i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kjo shihet edhe në fotografitë e siguruara nga KALLXO.com.

Menaxhmenti duke u bazuar në ligjin e ri mbi zyrtarët publik u ka dhënë afat zyrtarëve të ATK-së, që deri me datën 16 shtator të heqin dorë pozitat politike ose në të kundërtën ndaj tyre do të ndërmerr veprimet e parapara me ligj.