Pas raportimit të KALLXO.com, Prishtina fillon procedurat për ndërtimin e shkollave

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti gjatë fushatës parazgjedhore kishte premtuar se do bëjë ndërtimin e pesë shkollave në lagje të ndryshme të qytetit.

Në Emisionin Jeta në Komunë u raportua se nga pesë shkollat që ishin premtuar të nisnin gjatë këtij mandati deri në vitin 2020, asnjë prej tyre nuk kishte filluar të ndërtohet.

Kurse në buxhetin e viti 2021, komuna ka futur në buxhet ndërtimin e katër shkollave, për të cilat kanë futur edhe procedurat e prokurimit.

Komuna para pak ditësh ka nënshkruar kontratë për ndërtimin e shkollës “7 shtatori” e cila ekziston si shkollë e mesme e Tregtisë dhe Hotelerisë, por që komuna do i bëjë një objekt të ri në afërsi të shkollave tjera profesionale afër Fakultetit të Bujqësisë.

Për ndërtimin e këtij objekte të ri, komuna ka ndarë 1.4 milion euro.

Një shkollë tjetër në lagjen “Prishtina e Re” është futur në plan paraprak të prokurimit për të cilën parashihet të ndahen rreth 500 mijë euro.

Kallxo.com gjithashtu ka raportuar se shkolla e muzikës ‘Prenk Jakova’  ka mbetur në themele tash e disa vite në afërsi të shkollës ‘Elena Gjika’, ku nxënësit e kësaj shkolle kanë ushtruar veprimtarinë në anekse të shkollave nikoqire ai ajo e mjekësisë ‘Ali Sokoli’.

Kurse gjatë këtij muaji, komuna ka futur në procedurë prokurimi Shkollën e muzikës ‘Prenk Jakova’ që pritet të bëhet në hapësirat e ish ‘American School of Kosova’ tek Pallati i Rinisë.

Prishtina po ashtu ka futur në buxhet që këtë vit të fillojë edhe ndërtimi i shkollave në fshatin Vranidoll që pritet të kushtojë 700 mijë euro dhe një në fshatin Shkabaj që është futur në buxhet të këtij viti.