Pas raportimit të KALLXO.com, prindërit njoftohen që 5-vjeçari të kthehet në shkollë

Një rregullore e shkollës në Ferizaj, ia kishte ndaluar pesëvjeçarit E.I. të shkojë në shkollën “Jeronim De Rada”, si parashkollor. Në rregullore thuhet se “Ndalohet bartja e vathëve dhe rritja e flokëve te djemtë”.

Këshilltari ligjor i Ministres së Arsimit, Valdrin Dervishaj ka thënë se pas publikimit të lajmit nga KALLXO.com, kanë kërkuar inspektim emergjent të rastit.

Pas inspektimit, sipas Dervishajt, inspektorati ka rekomanduar kthimin e fëmijës në shkollë, me ç’rast prindërit janë njoftuar që 5-vjeçari të paraqitet në mësim.

“Pas njoftimit përmes publikimit të lajmit nga Kallxo.com se një fëmijë është larguar nga shkolla për shkak të flokëve të gjata, kemi kërkuar inspektim emergjent për rastin. Inspektorati ka zhvilluar inspektim dhe ka rekomanduar kthimin e fëmijës në shkollë. Sot, prindi është njoftuar që fëmija të paraqitet në shkollë”- ka shkruar Dervishaj në facebook.

Ai ka theksuar se raportimi mediatik i situatave të tilla, ka impakt në parandalimin e tyre.

“Efikasiteti institucional ka rol vendimtar në parandalimin e situatave të tilla. Po ashtu, raportimi mediatik i situatave të tilla ka impakt pozitiv në parandalimin e situatave të tilla. E.I me fokë të gjata, sot i bashkohet shokëve dhe shoqeve”- njofton Dervishaj.

Inspektorati i Arsimit dje ka bërë të ditur se janë takuar me zyrtarë nga Drejtoria e Arsimit në Ferizaj për të diskutuar rastin e 5-vjeçarit që u largua nga shkolla për shkak të flokëve të gjata, e për të cilin raportoi KALLXO.com.

Bujar Bajrami nga Zyra e Inspektoratit të Arsimit ka bërë të ditur se tani janë duke përgatitur rekomandimet që 5-vjeçari, E.I të kthehet nesër në shkollë.

“Rekomandimet do t’i japim me shkrim dhe rekomandimi është që nxënësit me ia mundësu që me vazhdu mësimin e rregullt. Ky rast përfundon me kthimin e nxënësit në shkollë” – ka thënë Bajrami.

KALLXO.com ka publikuar një artikull për një pesëvjeçar në Ferizaj, i cili dyshohet se është larguar nga shkolla për shkak të flokëve të gjata.

Prindi i fëmijës, Fadil Idrizi, thotë se drejtoresha Servete Hajrullahu e ka larguar djalin nga shkolla për shkak të flokëve të gjata.

Ai tha për KALLXO.com se ka kërkuar arsyetim rreth këtij vendimi nga drejtoresha e shkollës, nga Drejtoria e Arsimit dhe nga Inspektorati i Komunës, por nuk ka marrë përgjigje.