
Pas raportimit të KALLXO.com, Policia mbyll institucionin paralel ilegal në Mitrovicë të Veriut
Policia e Kosovës ka ndërhyrë në një ndërtesë në Mitrovicë të Veriut mëngjesin e së mërkurës, më 08.01.2025. Për këtë objekt KALLXO.com kishte raporuar në nëntor të vitit 2024, se i njëjti funksiononte ilegalisht si administratë tatimore.
Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.
Ai ka thënë se objekti ka funksionuar si zyrë tatimore nga Serbia.
“Rreth orës 09:00 kemi hyrë në këtë ndërtesë, e cila sipas informacioneve tona ka funksionuar si zyrë tatimore – si Degë e Ministrisë së Financave të Serbisë.” – tha ai.
Elshani shtoi se kanë gjetur edhe prova.
“Në këtë vend kemi hasë në prova që e vërtetojnë dyshimin tonë dhe pas konsultimit me Prokurorin, njerëzit që janë hasë aty janë larguar nga ai vend dhe ajo ndërtesë është mbyllur deri në verifikim të plotë të fakteve.” – theksoi ai.
Zyrtari i PK-së shtoi se rasti është hapur dhe po hetohet si “falsifikim i dokumenteve”, ndërsa nuk ka persona të arrestuar.
KALLXO.com, më 01.11.2024, ka raportuar për dëshmitë për funksionimin e institucionit paralel ilegal në Mitrovicë të Veriut.
Ekipi i KALLXO.com verifikoi më 30.10.2024 se në këtë objekt paralel funksiononte e ashtuquajtura “Administrata Tatimore”.
KALLXO.com hyri brenda këtij objekti paralel ku kishte punonjës dhe po funksiononte. Për të verifikuar çka konkretisht po ofrohet, gazetarët thanë se “po u duhet certifikata e lindjes që ta nxjerrin letërnjoftimin e Serbisë”.
“Ky dokument duhet të nxirret në Komunë. Na jena ‘Administrata Tatimore’ këtu zotëri.” – ishte përgjigjja e punonjësve.