Pas raportimit të KALLXO.com, Policia gjobitë PDK-në në Skenderaj për tubimin në Rezallë

Policia e Kosovës, dje ka shqiptuar gjobë ndaj PDK-së në Skenderaj, pasi të dielën kishte mbajtur një tubim elektoral duke mos i respektuar masat anti-COVID-19 të vendosura nga Qeveria e Kosovës.

Sipas Policisë, deri tek kjo gjobë ka ardhur pas njoftimit nga ana e mediave.

“Pas njoftimit përmes mediave për një tubim të mbajtur në fshatin Rezallë të Skenderajt në të cilin tubim nuk janë respektuar masat mbrojtëse kundër Covid-19, si dhe tejkalimi i numrit të lejuar të pjesëmarrësve në hapësirat e jashtme në tubimet publike, policia në Skenderaj, ka identifikuar lokacionin dhe organizatorin e tubimit”, thuhet më tej.

Policia thotë se për këtë ka shqiptuar gjobë edhe ndaj organizatorit si person fizik konformë ligjit për mbrojtje nga pandemia Covid-19, por edhe subjektit politik.

“Po ashtu policia në Skenderaj, i ka shqiptuar gjobë edhe subjektit politik si person juridik, pasi që nuk janë respektuar masat mbrojtëse ndaj pandemisë COVID-19. Policia apelon tek të gjithë qytetarët që të zbatojnë masat e parapara për  parandalimin dhe luftimin pandemisë COVID-19, përndryshe policia ndaj të gjithëve që nuk i zbatojnë masat mbrojtëse, do të ndërmerr masa të parapara me dispozitat ligjore”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com kishte raportuar të dielën se dhjetëra persona ishin mbledhur në një tubim të organizuar nga kandidati i PDK-së për kryetar të Skenderajt, Fadil Nura, në fshatin Rezallë.

Në fotografitë e postuara në Facebook nga vetë Nura përveç numrit të lartë të pjesëmarrësve shihej se shumica prej tyre nuk mbanin maskë as distancën që janë të domosdoshme si masë për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

PDK në Skenderaj nuk ndien për vendimet e shtetit, shkel masat dhe rrezikon shëndetin publik

.